PS, akuza ERE-s për energjinë

02/07/2012 00:00

Opozita denoncon vendimin e Entit Rregullator që uli çmimin e energjisë
për KESH nga 2.8 në 2.2 lekë për kilovatorë, si një masë haptazi kundër
interesave të qytetarëve.

“Kjo qeveri vazhdon të falë paratë e taksapaguesve për interesa të ngushta klienteliste në disfavor të publikut, të konsumatorit dhe të buxhetit të shtetit”, thotë Arben Ahmetaj, deputet socialist.

Arben Ahmetaj hedh dyshime se vendimi është pasojë e një marrëveshje të fshehtë, e cila sipas tij grabit miliona dollarë nga xhepat e qytetarëve

“Një ulje e cmimit nga KESH tek CEZ nga 2.8 në 2.2 në vit, dëmin ekonomik e ka 33 milione dollare ne vit, qe per tre vjet bejne 100 milione dollare. Pse i falen keto para CEZ-it, cila është arsyja që përderisa CEZ përfiton 100 milionë dollarë në tre vite nuk ul cmimin final për konsumatorin shqiptar. Do të thotë se këtu ka një marrëveshje të fshehtë në dëm të publikut shqiptar”, tha Ahmetaj.

Tre ditë më parë, si rrallëherë, Enti Rregulator ndërhyri në mes të vitit për të ulur çmimin me të cilin KESH, kompania publike e prodhimit të energjisë shet energji tek CEZ, privati që ka monopol rrjetin e shpërndarjes.

Socialistët thonë se ky vendim që transferon 33 milionë dollarë të ardhura në vit nga buxheti i KESH-it, tek kompania private CEZ dëshmon edhe një herë atë që opozita e denoncon prej kohësh; qeverisjen e vendit jo për interesa të qytetarëve, por siç thotë deputeti Ahmetaj të klientëve të pushtetit.  

Top Channel