Pas aksionit të fundit të KFOR-it, të ashtuquajturit kryetarë të komunave në Veri të Kosovës kanë intensifikuar thirrjet dhe kërcënimet ndaj banorëve serbë me qëllim mbrojtjen  e barrikadave me të gjitha mjetet.

Burime të afërta me zhvillimet në këtë pjesë bëjnë të ditur se komuna e Mitrovicës pas mbledhjes së shtabit të situatës së jashtëzakonshme ka ftuar banorët e moshës 20 deri në 50 vjec të jenë në gjendje gatishmërie për mbrojtjen e barrikadave në momentin që lëshohet alarmi i rrezikshmërisë.

Po kështu në këtë mbledhje është thënë se të gjithë pronarët e dyqaneve janë të detyruar t’i mbyllin ato. Në mbledhjen e shtabit të situatës së jashtëzakonshme në komunën paralele të Mitrovicës është kundërshtuar hapja e zyrës administrative nga qeveria e Kosovës.

“Serbët të cilët kërkojnë punë në këtë zyrë do të identifikohen dhe do te penalizohen për tradhti”, citojnë burimet tona liderët serb në mbledhjen e tyre.

Serbët shqyrtojnë mundësinë e rivendosjes së barrikadave dhe mospërfilljen e urdhërave të komandës rajonale të policisë së Kosovës në lidhje me largimin e targave të automjeteve të ish-Jugosllavisë. Gjithsesi lideret e serbëve në veri janë në pritje të një takimi me presidentin e porsazgjedhur të Serbisë Tomislav Nikoliç.

Mësohet se përvec të tjerash, kryetarët e tri komunave paralele janë të interesuar të dëgjojnë nga presidentii Serbisë detajet rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përvec të ashtuquajturve kryetarë të komunave për këto cështje janë dakorduar edhe   ministria ilegale e punëve të brendshme, mbrojtja civile, dhe strukturat e tjera ilegale.

Top Channel