“Gënjeshtra e Shpiragut”

02/06/2012 00:00

Në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës u dha leje për
hapjen e puseve të naftës në zonën e Shpiragut, por deputeti socialist
Erjon Braçe thotë se kjo zonë ka qenë zbuluar, qysh përpara viteve 90
dhe më pas është përdorur nga kompania kanadeze “Oksidental”, e cila
arriti të nxirrte rreth 60 tonë nafte në ditë.

Duke treguar edhe materialet qe deshmojne këtë fakt, Braçe thote se për shkak të kostos së lartë të shfrytëzimit, puset u konservuan.

Në zonën e Mbreshtanit nuk është zbuluar ndonjë pus i ri nafte. Sali Berisha këtu gënjen, ose në rastin më të mirë, është i painformuar. Naftë është gjetur më herët, pusi është atje, është i taposur, është i braktisur për shkak të shpenzimeve të konsiderueshme për të nxjerrë naftën prej andej. Shpenzime që ekonomikisht nuk justifikohen me atë sasi nafte që del nga ai pus i zbuluar më pas në zonën e Mbreshtanit”, tha Braçe.

Duke iu referuar edhe ketij rasti te fundit, Braçe shprehet se qeveria vazhdon të favorizojë kompanitë e shfrytëzimit të naftës.

“Ajo që mua më shqetëson është fakti se nuk ka asnjë përpjekje për të ndryshuar praktikën e marrëveshjeve hidrokarbure, me të cilën qeveria shqiptare kontrakton çdolloj kompanie që paraqitet në Shqipëri. Shqetësimi im është çfarë përfitojnë shqiptarët, ata banorë të Mbreshtanit për të cilin fliste Berisha një ditë më parë nga kjo marrëveshje hidrokarbure, po ju them që përfitimi është zero, po përsëri dhe në kushtet e një krizë shumë të madhe ekonomike, tashmë edhe financiare në Shqipëri, të mos përfitosh absolutisht asnjë qindarkë, nga pasuria jote natyrore, por të gjitha përfitimet të shkojnë në llogaritë e këtyre kompanive është krim”, theksoi Braçe.

Edhe me heret, shpesh deputeti socialist ka denoncuar marrëveshjet koncesionare në nafte, pasi përmes tyre kompanitë nuk paguajnë asnjë lek si tatim-fitimi per buxhetin e shtetit duke u justifikuar me shpenzimet e larta per investime. Vitin e kaluar u nxorren rreth 1 milion ton nafte.

Top Channel