Valë vrasjesh gjatë orëve të natës

31/05/2012 00:00

Tre vrasje me armë zjarri janë regjistruar gjatë natës së kaluar, njëra prej të cilave në qytetin e Durrësit, ndërsa dy të tjerat në një lagje periferike të Sarandës.

Në Durrës, një shtetas nga Kosova është vrarë në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës. Skënder Spahia, i lindur në vitin 1968, është qëlluar me armë zjarri teksa zbriste nga automjeti i tij për të shkuar në apartamentin që kishte në një pallat.

Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes ka rezultuar se kanë qenë dy persona që i kanë ngritur pritë kosovarit 44-vjeçar duke qëlluar mbi të. Për pasojë ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi në errësirë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se janë ngritur disa pista dhe po hetohet për aktivitetin e viktimës dhe konfliktet e mundshme të tij.

Nuk përjashtohet as një përfshirje e tij në ndonjë rrjet të trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve në bregdet dhe vrasjes së tij për larje hesapesh.

Ndërkohë, dy vrasjet e tjera kanë ndodhur në Bradenesh, në periferi të Sarandës, ku 65-vjeçari Ismail Leli ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten Thëllëza Leli, 57 vjeç, e më pas është vetëvrarë. Sipas, policisë, ngjarja ka pasur në sfond motive banale.

Në Tiranë Konfliktet për motive pronësie dyshohen të jenë shkaku i një plagosjeje të ndodhur në orët e paradites së të enjtes në rrugën e Kavajës.

Burimet policore kanë bërë të ditur se personi i plagosur është Avni Nika, i cili është dërguar në Spitalin Ushtarak. Ndërsa forcat e policisë të mbërritura në vendngjarje, kanë ndaluar si autorin e dyshuar të këtij krimi, shtetasin Aqif Zgurra.

Ky i fundit dyshohet se e ka goditur me çifte të plagosurin Nika nga katet e sipërme të një pallati, pranë ish-parkut të autobusëve në kryeqytet.

Grupi i hetimit i ngritur për këtë ngjarje ka nisur marrjen në pyetje të të arrestuarit dhe dëshmitarëve të tjerë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e këtij krimi.

Vrasjet dhe plagosjet vazhdojnë të jenë të pranishme në kuota të larta në vend, ndërkohë që strukturat shtetërore vazhdojnë të flasin për goditje të grupeve kriminale.

Ndër vrasjet kryesore të ndodhura së fundmi kanë qenë ato të muajit shkurt në Tiranë, ku një grua u vra në një atentat të organizuar, ndërsa një kalimtare humbi jetën rastësisht.

Gjithashtu, nuk mund të lihet pa u kujtuar vrasja e një bankiereje në periferi të Tiranës nga një grabitës serial bankash, që disa herë kishte vrarë viktimat e grabitjeve të tij. 

Ndërsa në fillim të muajit të kaluar, kryeqyteti u trondit nga vrasja e një polici të burgjeve, në një atentat me armë zjarri të organizuar në orët e para të mëngjesit. 

Top Channel