Tiranë, protestë e jetimëve

20/05/2012 15:50

Dhjetëra fëmijë në Ditën Kombëtarë të Jetimëve kanë marshuar në rrugën pedonale në Tiranë me pankarta në duar për të protestuar ndaj gjendjes së tyre të mjerueshme.

Në gjithë vendin numërohen 31 mijë fëmijë dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre marrin asistencë sociale, e cila mbulon vetëm 5% të nevojave minimale të jetës së tyre. Një pjesë e madhe e jetimëve mbi 18 vjeç nuk kanë mundësi strehimi dhe punësimi, çka e bën shumë të vështirë mbijetesën.

“Jemi këtu për të apeluar më shumë kujdes, më shumë vëmendje më shumë investime për këta fëmijë dhe më pak fjalë e më pak premtime. Presim një dorë të ngrohtë nga shteti dhe shoqëria civile, asaj shoqërie civile që në të shumtën e rastevë është abuzive dhe spekulative në kurriz të këtyre fëmijëve”, tha kryetari i Instituit për Integrimin e fëmijëve jetimë, Ilir Cumani.

“Është një ditë për fëmijët dhe prezenca ime këtu është në ndihmë të jetimëve. Është shumë i  rëndësishëm integrimi i këtyre grupeve në shoqëri dhe duhet t’i ndihmojmë këto shtresa të jenë qyetarë me të gjitha të drejtat” tha amabsadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart.

Kryetari i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve ka akuzuar kryetaren e kuvendit se në aktivitetin e zhvilluar ditën e shtunë në Pallatin e Kongreseve për jetimët ka patur vetëm 200 fëmijë jetimë, ndërsa pjesa tjetër, sipas Cumanit, ishin fëmijë të shkollave të Tiranës të sjellë për të mbuhsur sallën.

Korçë, dhurata jetimëve

Drejtues të Bashkisë së Korçës, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Jetime, vizituan shtëpinë e foshnjes “Lulet e vogla”. Ata theksuan se është shumë e rëndësishme që kjo pjesë e shoqërisë të jetë në qendër të vëmendjes pasi për ta sfidat janë shumë të mëdha.

Në këtë ditë fëmijëve u janë shpërndarë dhurata të ndryshme.

Top Channel