Megjithë vlerësimin për figurën e Fatos Nanos, kreu i republikanëve Fatmir Mediu i qendron pozicionit se nuk mund të japë mbështetje për asnjë kandidat pa një konsultim paraprak mes aleatëve të mazhorancës qeverisëse.

Këtë qendrim të bërë publik, zoti Mediu besohet se ia ka qartësuar edhe në takimin prej gati 50 minutash me Fatos Nanon.

“Dua të theksoj edhe njëherë që në vlerësim të të gjitha kandidaturave, përfshi edhe të zotit Nano, qendrimi i Partisë Republikane është qendrim që lidhet në diskutimin brenda mazhorancës. Ja kam kërkuar dhe e ripërsëris, dhe besoj jemi në të njëjtin gjykim edhe me kryeministrin Berisha, që ne do të kemi diskutimet tona të brendshme përsa i përket alternativave të mundshme dhe për të vazhduar rrugën e komunikimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, deklaroi kreu i PR, Fatmir Mediu.

Vetë zoti Nano, që e cilëson një vlerë të shtuar takimin me republikanin Mediu për të qartësuar edhe më shumë pozicionin e tij, është në pritje të takimit me kryeministrin Berisha.

“Unë kam qenë i vëmendshëm dhe falenderova Mediun për vlerësimet e tij. Po i afrohem takimit me kryeminsitrin që ka një rëndësi të dorës së parë në konsultimet e mia”, vlerësoi kandidati për president, Fatos Nano.

Por, pasi përshëndeti edhe takimin mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, Fatos Nano, nuk u nxitua për të bërë një vlerësim nëse ky takim i ulte apo i rriste shanset e tij si president konsensual.

“Ju doni rezultatin e njërës nga pjesët e ndeshjes?! Më lejo të ta them në fund këtë gjë”, komentoi zoti Nano.

Top Channel