Buxheti, mund të ketë shkurtime

08/05/2012 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Selami Xhepa, njëkohësisht një nga
ekspertët më të njohur të maxhorancës, thotë se ecuria e ekonomisë në
këto muajt e parë të vitit, mund të shtrojë nevojën për ndërhyrje në
buxhet.

“Por edhe zhvillimet e parashikuara për vitin 2012 janë bërë me dije besoj që do të jenë më modeste në raport me vitet e kaluara, ku efektet e krizës do të jenë të manifestuara me fuqimisht dhe për rrjedhojë edhe zhvillimet në përgjithësi në kërkesën e brendshme do të jenë më modeste. Sigurisht që zhvillimet në tremujorin e dytë do të jenë themelore, për të gjykuar mbi gjysmën tjetër të vitit dhe për të parë pastaj edhe mundësinë e ndryshimeve buxhetore, që i bëhen programit buxhetor, siç është bërë një traditë e përhershme”, tha Xhepa.

Zoti Xhepa vëren se për fat të mirë, financimi i investimeve më të rëndësishme të buxhetit, tashmë është i garantuar, por nuk përjashton mundësinë që në disa programe më pak prioritare, të ketë shkurtime.

“Mendoj që pjesa më e rëndësishme e programit buxhetor në financimin e investimeve publike është realizuar tashmë. Kam parasysh një sërë linjash kredish, që janë ratifikuar dhe nga Parlamenti i Shqipërisë, për vazhdimin e projekteve madhore të infrastrukturës. Nëqoftëse do të bëhet fjalë për tkurrje investimesh publike, ose për tkurrje programi të shpenzimeve buxhetore, atëherë mendoj që qeveria do të shohë sërish mundësitë e  krahut e shpenzimeve operative, megjithëse duhet të thënë se niveli i shkurtimeve të realizuar edhe gjatë vitit të kaluar ka qenë thelbësor, duke bërë që edhe shpenzimet të jenë në nivelet më të ulëta historike ndonjëherë”, tha Xhepa.

Pas efekteve negative që pati në vendet e Eurozonës, politika e shtrëngimit buxhetor, së fundmi është vënë seriozisht në dyshim. Shumë ekspertë thonë se tkurrja e fortë e shpenzimeve ka thelluar krizën, por zoti Xhepa i qëndron besnik filozofisë së djathtë konservatore.

“Në rrethanat dhe në kushtet në të cilat ne ndodhemi, unë nuk besoj sinqerisht që masat tona fiskale duhet që të jenë më bujare. Niveli i borxhit në Shqipëri edhe me 58 për qind, sa u deklarua vitin e kaluar, është një nivel jo i rrezikshëm, por shtron nevojën për ta vendosur atë në një trajektore rënëse në afat të gjatë”, thotë Xhepa.

Selami Xhepa, thotë se të paktën në afat të shkurtër, Shqipëria nuk duhet t’i lejojë vetes një rritje të borxhit përtej nivelit aktual. Ndërsa në një kohë të dytë, kur intensiteti i krizës të ketë rënë, duhet të ndërmerret një program agresiv për uljen më të shpejtë të borxhit publik.

Top Channel