Aksion masiv i Tatimeve

04/05/2012 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se ka ndërmarrë një
aksion të gjerë kontrollesh në disa sektorë të caktuar të ekonomisë, ku
janë konstatuar shkelje tatimore.

“Në sektorin e ndërtimit në 40 objekte të kontrolluara në rrethin e Tiranës, nga investigimi i bërë u konstatua se kishte mungesë në dokumentacionin tekniko-ligjor të tatim-paguesve që kishin të bënin me preventivin e punimeve, librezat e masave, analizat e çmimeve të cilat reflktoheshin qartë nga raportimet e bëra nga ana e tatim paguesve. U gjetën objekte në ndërtim informal, të paregjistruara me NIPT-e sekondare”, tha Erjon Prifti, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Një tjetër sektor në qendër të kontrolleve tatimore ka qenë edhe ai i transportit.

“Në sektorin e transportit janë zhvilluar 3532 kontrolle dhe janë zbuluar 212 raste për të cilat janë marrë edhe masat administrative, me një vlerë rreth 12 milionë lekë. Operacione të larmishme të kësaj natyre do të vazhdojnë kryesisht në sektorin e ndërtimit, përgjatë zonave bregdetare, ndërsa për sektorin e transportit do të ketë kontrolle në të gjitha akset kryesore kombëtare, duke aplikuar teknika të ndryshme kontrolli”, tha Prifti.

Drejtoria e Tatimeve thotë se intensifikimi i kontrolleve ka rritur edhe të ardhurat në buxhet, që mblidhen nga Tatimet, gjatë 4 muajve të parë të këtij viti.
 

Top Channel