Haxhinasto në Ministerialin e NATO-s

19/04/2012 18:55

Nga Brukseli, ku ndodhej në Ministerialin e vendeve të NATO-s, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ka dhënë prononcimin e parë zyrtar  për kthimin e gjyqtarëve të apelit në Korçë nga policia greke.

Gjatë Ministerialit dyditor të NATO-s, Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, u takua edhe me disa homologë nga vendet anëtare.

“Në të gjitha këto takime kemi folur për sfidat që ka Shqipëria për plotësimin e detyrimeve për ecjen përpara të proçesit të integrimit europian. Në mënyrë të veçantë kam folur me homologun hollandez, kemi qëndruar gjatë në trajtimin e të gjitha çështjeve të këtij proçesi dhe unë shikoj një realizëm në këndvështrimin që tashmë ka Hollanda për zhvillimet në Shqipëri”, deklaron Edmond Haxhinasto, Ministër i Jashtëm.

Ministri Haxhinasto rrëfeu më pas qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria për situatën në Veri të Kosovës.
 
“Ne kemi dhënë qëndrimin tonë për rëndësinë që ka stabilizimi i situatës atje, për rëndësinë që ka qëndrimi tek marrveshjet e arritura në proçesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pra zbatimi i këtyre marrveshjeve. Po kështu kemi përsëritur qëndrimin tonë që është shumë e rëndësishme për stabilizimin e situatës atje, zbërthimi i strukturave paralele që ekzistojnë”, thotë ministri Haxhinasto. 
 
Në lidhje me situatën në Maqedoni, shefi i diplomacisë shqipëtare vlerësoi se duhet pritur me qetësi përfundimi i hetimeve për vrasjen e 5-fishtë në Shkup.

“Por, çfarëdo nacionaliteti që ato (autorët) t’i përkasin, këto raste janë të dënueshme e nuk duhet të ndodhin më, pasi nuk i shërbejnë aspak as shoqërisë maqedonase të Maqedonisë, as integrimit të komuniteteve atje (shqipëtar, maqedon, komuniteteve të tjera) dhe nuk i shërben as vazhdimësisë së proçeseve integruese të vetë Maqedonisë”, tha Haxhinasto.
 
Në ministerialin e fundit të Aleancës para samitit të Çikagos, Shqipëria mbështeti të gjitha dokumentat strategjikë që pritet të miratohen gjatë samitit të Majit.

Përgatiti, Arta Tozaj

Top Channel