Tregu i banesave ka arritur pikun e ngopjes dhe ndërtuesit janë në vështirësi për shkak të kredive të marra dhe rënies në minimum të shitjeve.

Drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve thonë se bashkitë, komunat dhe veçanërisht Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk u ka shlyer detyrimet për punimet e përfunduara.

“Ka një rënie shumë të madhe të shitjes së apartamenteve si rezultat i rënies së të ardhurave në radhë të parë nga emigracioni që ka qenë burimi më i sigurtë i likuiditetit për blerjen e tyre. Po kështu defiçite të ndjeshme në pagesat për firmat që kanë punuar në realizimin e punëve publike, bashkuar kjo dhe me pagesat për kreditë e marra nga bankat për këtë qëllim kanë sjellë një vështirësi për këto firma. Objektiv i veçantë i ynë do të jetë heqja e detyrimit për pagesën e tatim-fitimit që përfiton pronari i truallit nga kontrata. E para që është moralisht e padrejt por edhe ekonomikisht e padrejtë”, tha në fjalën e tij, Luigj Aleksi nga Shoqata e Ndërtuesve Shqiptarë.

Ndërtuesit kërkojnë t’u krijohen lehtësi nga bankat te cilat tashmë kanë bllokuar dhe ato kredidhënien për blerësit.

“Sistemi bankar duhet të zgjohet, të shkundet, të hyjë në sintoni me ndërtuesit sepse nuk është se nuk ka kërkesë për ndërtim, por ajo që duhet stimuluar është fuqia blerëse”, deklaroi Artan Dulaku, President i Shoqatës së Ndërtuesve.

I pranishëm në aktivin e Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha u kërkoi atyre të plotësojnë dosjet për hipotekimin duke u shprehur se në maj përfundon plani urbanistik i Tiranës, bashkë me vendet e përcaktuara se ku do të ndërtohet.

“Administrata e Bashkisë ka finalizuar punën për lejet e përdorimit për 33 objekte të cilat do t’i dorëzohen sot 33 subjekteve ndërtuese, por ndërtuesit nuk kanë përfunduar dosjet e tyre dhe raste të tilla ka jo pak, llogariten rreth 130 objekte. Plotësoni objektet me dokumentacionin e nevojshëm! Plani urbanistik i Tiranës është drejt përfundimit dhe maji mbetet objektivi për ta bërë draft-planin publik para qytetarëve të Tiranës dhe para jush si një nga grupet e interesit”, deklaroi kryebashkiaku Basha.

PS: Basha nuk po mban premtimet per ndertimet

Por premtimet e kryetarit te bashkise Basha jane hedhur poshte nga grupi I keshiltareve socialsite te cilet thone se Basha  vazhdon te genjeje qytetaret e Tiranes.

“Vazhdon gënjeshtra me hipotekimet. Zoti Basha tha i hipotekova, doli që nuk u tha të vërtetën qytetarëve. Zoti Basha tha bëni gati dosjet, na doli që dosjet ishin gati dhe dorëzuar kohë më parë nga administrata paraardhëse. Prej shumë muajsh thotë do t’i hipotekojmë, prap gënjen, njësoj si në planin urbanistik të Tiranës që ka mbaruar që në vitin 2008 dhe tani i janë sulur për të vendosur njolla ndërtimesh sipas interesave të klientëve të pushtetit sundues”, reagoi kreu i këshilltarëve socialistë në Bashki, Aldrin Dalipi.

Top Channel