Muzetë “imagjinarë” të burgjeve të komunizmit

26/03/2012 21:00

Edhe pse kanë kaluar 21 vjet nga shembja e regjimit komunist, kalvari i gjatë i ish-të përndjekurve ende nuk ka marrë respektin e merituar.

Premtimet për dëmshpërblimin kanë pasuar njëri-tjetrin, teksa sot Shqipëria nuk ka qoftë edhe një vend të vetëm ku të tregohen vuajtjet reale që kanë kaluar mijëra të burgosur gjatë kohës së diktaturës.  

Hapja e një muzeu s’ka kaluar kurrë mbi trajtën e fjalëve, ndërsa gjithë ish-burgjet e komunizmit po shkatërrohen duke i dhënë fund në këtë mënyrë edhe kujtesës për këtë periudhë të errët.

Vit pas viti, politika shqiptare risjell me bujë projektin për të rikonstruktuar dhe për të shndërruar në një dëshmi të vuajtjes së mijëra e mijëra shqiptarëve burgun famëkeq të Spaçit, për të mos harruar atë të shkuar gulagesh shqiptare, ku u thyen aq shumë ëndrra.

E ndërsa projekti i muzeut mbetet në letër, burgu i Spaçit po rrënohet dita ditës, diku nga koha dhe diku tjetër nga lukunitë e njerëzve të etur për t’i zhveshur edhe tullat e për të rrëmbyer gjithçka të hekurt për skrap.

Nga muzeu imagjinar i politikës, kamerat e reportazhit të “Shqipërisë Tjetër” në “Top-Channel” udhëtuan drejt një tjetër gulagu të frikshëm, Qafë-Barrit, që ndoshta i mbështjellë në një qetësi të çuditshme, burgu duket se vazhdon të klithë nga vuajtjet e dikurshme.

Edhe kjo qendër e vuajtjes së dënimit po bjerret, po shembet në peshën e saj, ndërsa në dritaret dhe ambientet  e brendshme tashmë nuk ka asgjë që të tregojë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një grupim të çrregullt ndërtimesh, por me një burg ku jeta dhe vdekja përplaseshin çdo ditë me njëra-tjetrës dhe ku të dyja bashkë, mpekseshin po aq shpesh me torturën.

Nga Qafë-Barri, në Kavajë, atje ku dikur ngrihej burgu i Bardhores, por dikur, sepse sot nuk ka mbetur absolutisht asgjë. Vetëm një pirg me tulla kujton ndërtesën e dikurshme, të zhdukur pak kohë pasi qeveria e vendosi në listën e objekteve në shitje.

Për ish-të burgosurit në këtë vend nuk mbeti më asgjë, asgjë që të tregojë se dikur atje mbërritën djem të rinj, që dolën burra me thinja, ndërsa të tjerë nuk dolën dot më kurrë.

Asnjë gur përkujtimor, asnjë një pllakë e vogël, ku mund të lihej një mbishkrim, sado symbol, mbi kujtesën dhe respektin për ata ish-të dënuar.

Më tej, në burgun e Përparimit, në Shën Vasil të Sarandës, është një pamje identike. Edhe këtu, nga koha e shkuar kanë mbetur si dëshmi tek tuk telat me gjemba dhe kullat e rojes ku dikur qëndronin ushtarët.

Nga ish-burgu i Shën Vasilit, në atë të shtatë penxhereve në Kalanë e Gjirokastrës, ku gjithçka bëhet edhe më ironike.

Ky ish-burg, që sot ndodhet brenda muzeut të armëve dhe që ka funksionuar që në kohën e Zogut, italianëve, gjermanëve e komunistëve deri në vitin 1968, sot pasqyron vetëm një pjesë të historisë së tij.

Regjimi komunist e përdori si burg për plot 24 vjet, por më pas e ktheu në propagandë të tij. Mbi muret e qelive mund të gjesh mbishkrime të gjata ku sistemi i dikurshëm vlet për torturat e pësuara nga partizanët prej zogistëve, fashistëve apo nazistëve.

Edhe pse kanë kaluar 21 vjet nga shembja e komunizmit, për këtë sistem, në këtë burg nuk gjen asnjë fjalë, asnjë gërmë që të referojë torturat e pësuara edhe nga regjimi i katërt në histori që përdori burgun, sikur kjo e epokë të mos kishte egzistuar kurrë.

Përfundimi? Mbi të vetmin burg muze të mbetur, edhe ky nga koha e komuznimit, historia është e përthyer dhe e shkruar mbi të vërteta të cunguara.

“Materialet këtu përfundojnë me vitin 1944, me ardhjen e sistemit komunist. Se çfarë ka ndodhur nga ky vit e deri në vitin 1968, kur u ndërpre funksionimi si qendër e vuajtjes së dënimi, këtu nuk ka asnjë dëshmi”, pranon drejtoresha e muzeut, Teuta Kallajxhi.

Vetëm arkivat e pasura nuk mund të mjaftojnë për të shkruar historinë. Një shoqëri e civilizuar, nuk duhet të mjaftohet vetëm me një dëmshpërblim monetar.

Ndërtimi i muzeumeve të denjë, ka të bëjë në rradhë të parë me respektin, me kujtesën e një kombi ndaj sakrificës njerëzore, pikërisht të atyre njerëzve që vuajtën në gulaget komuniste dhe që sot vazhdojnë të përdoren si mish për top për interesa të ndryshme politikë.

Top Channel