Bien ndjeshëm eksportet

25/03/2012 15:10

Të dhënat më të fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë një ngadalësim të fortë të eksporteve, duke paralajmëruar një fillim viti të vështirë për ekonominë.

Sipas Instat, në dy muajt e parë eksportet e biznesit shqiptar në tregjet e huaja ishin mbi 20% më të ulëta se sa në të njëtën periudhë të vitit 2011. E konvertuar në vlerë, kjo do të thotë se në janar-shkurt Shqipëria eksportoi 73 milionë dollarë më pak se sa e njëta periudhë e një viti më parë duke përkeqësuar bilancin tregtar të vendit.

Rënia ka ardhur kryesisht në eksportet e dy grupeve, atij të minerale lëndë djegëse dhe energjisë elektrike, si dhe grupit të materialeve të ndërtimit dhe metaleve. Pjesa dërrmuese e tkurrjes së eksporteve ka ardhur në muajin shkurt dhe mund të jetë e lidhur me motin e keq, i cili goditi flukset e tregtisë duke mbyllur rrugët e qarkullimit të mallrave.

Por shifrat tregojnë se eksportet kanë rënë edhe gjatë janarit, kur stuhitë e deborës që paralizuan gjithë Europën nuk kishin nisur ende. Dy vitet e fundit eksportet kanë mbajtur gjallë rritjen ekonomike të vendit duke kompesuar rënien e konsumit të brendshëm dhe tkurrjen e shpenzimeve të qeverisë.

Në këto kushte ngadalësimi i tyre është një sinjal i fortë paralajmërimi se ekonomia mund të përballet me një vit të vështirë. Kjo pasi qeveria është e detyruar të vazhdojë të mbajë shpenzimet e ulëta dhe konsumi i qytetarëve ende nuk po jep shenja rigjallërimi.  
 

Top Channel