Përjashtimi i Topit në Lezhë

04/03/2012 00:00

Tri ditë pas incidentit në Lezhë, Protokolli i Shtetit deklaroi se aktiviteti i mbajtur në 2 mars, me rastin e 568 vjetorit të Besëlidhjes, ka qenë ideuar, organizuar dhe menaxhuar nga Bashkia e qytetit Lezhë.

“Lista e pjesëmarrësve, ftesat dhe lista e folësve janë bërë dhe menaxhuar nga organizatorët dhe nuk ka patur të bëjë aspak me Protokollin e Shtetit”, thuhet në një deklaratë për shtyp në lidhje me incidentin, ku Presidentit të Republikës Bamir Topi iu hoq e drejta e fjalës përshëndetëse. Protokolli i Shtetit thotë se vepron mbi bazën e Ceremonialit të Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të tij mbikqyr mbarëvajtjen nga ana protokollare të aktiviteteve ku marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të shteteve të tjera dhe të trupit diplomatik.

“Në këtë kuadër, Protokolli i Shtetit ishte i pranishëm në aktivitetin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Po ashtu, Protokolli i Shtetit ka qenë në kontakt me institucionet e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe me trupin diplomatik në Tiranë, lidhur me vendosjen protokollare të personaliteteve sipas hierarkisë shtetërore të përcaktuar në ceremonialin zyrtar”, thuhet në njoftim, ku nënvizohet se roli dhe angazhimi i Protokollit të Shtetit ka qenë në përputhje të plotë me Ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë.

Ditën e premte, përkujtimi i kuvendit historik të Besëlidhjes së Lezhës u shoqërua me të tjera konflikte përçarëse në politikën shqiptare. Presidenti Topi nuk ishte në ceremoninë e organizuar në Lezhë pasi Protokolli i Shtetit kishte ndryshuar ditën e fundit duke i hequr atij të drejtën e mbajtjes së fjalës përshëndetëse.

Sipas Presidencës, ky është një akt përjashtues, sjellje e padenjë zyrtare, shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit dhe mungesë respekti për institucionet dhe qytetarët e Lezhës.

Ndërkohë në anën tjetër Bashkia e Lezhës deklaroi se nëse presidenti do të ishte në ceremoni, ai do të kishte marrë fjalën. Por në fakt, kjo deklaratë e kryetarit të bashkise bie ndesh me axhendën zyrtare të vetë bashkisë, e cila parashikonte vetëm fjalimin e kryeminsitrit.

Në kushtet kur nuk mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të Besëlidhjes së Lezhës, Presidenti i Republikës e lexoi në zyrën e tij fjalimin, ndërsa në ceremoni foli kryeministri Berisha.

PD: Pretendimi i Topit, mashtrim

Ndërkohë Partia Demokratike e cilëson mashtrim pretendimin e Presidentit Topi.

Deputetja e Lezhës, Paulina Hoti, në një deklaratë tha se kreu i shtetit nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë e 2 marsit. Por, përveç akuzave ndaj Topit, zonja Hoti nuk bëri asnjë koment se përse Presidentit ju hoq e drejta e fjalës nga kjo ceremoni.

“Në këtë festë munguan zoti Topi dhe zoti Rama. Për bojkotin e festës zoti Topi, që nuk u konfirmoi asnjëherë autoriteteve të Lezhës ardhjen në këtë festë, u deklaroi të huajve dhe mediave ndërkombëtare se ai nuk do të shkonte më datë 2 mars në Lezhë pasi Partia Demokratike e Lezhës do të organizonte një protest kundër tij, kurse shqiptarëve u serviri motivin tjetër bajat sipas të cilit anulloi pjesëmarrjen pasi nuk ishte lejuar të fliste. Ndërsa zoti Rama deklaroi se nuk kishte marrë ftesë për festimet në Kuvendin e Lezhës. Unë deklaroj se pretendimet e zotit Topi se Partia Demokratike e Lezhës po organizonte protest kundër tij janë pjellë e një fantazie të sëmurë”, deklaroi Hoti.

Top Channel