Instituti i Statistikave njoftoi se Prodhimi Kombëtar në tremujorin e
tretë të vitit 2011 u rrit me 2.6 për qind. Sipas INSTAT, sektorët me
rritjen më të madhe ishin tregtia dhe transporti.

“Dega tregti, hotele dhe restorante pati një rritje me 6.2 për qind. Aktiviteti i transportit në tremujorin e tretë të 2011 shënoi një rritje me  19.7 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë”, thotë Etugert Llazi, përfaqësues i INSTAT.

Rritje, sipas INSTAT ka patur edhe bujqësia dhe industria, ndërsa dega e Post-Telekomunikacionit ka shënuar sërish rënie.

“Aktiviteti bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2011 u rrit me 2.5 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010. Grupi industria shënoi një rritje prej 4.8 përqind në tremujorin e tretë të vitit 2011, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë”, tha Llazi.

Shifrat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e tretë ekonomia edhe pse ka vazhduar të rritet me ritme të ulëta, ka patur një ecuri më të mirë se sa një tremujor më parë, kur u rrit me vetëm 0.5 për qind. Ashtu si në tremujorin e dytë edhe këtë herë INSTAT sërish e vonoi publikimin e Prodhimit Kombëtar, një fenomen që po ndeshet shpesh kohët e fundit me disa tregues të rëndësishëm të ekonomisë.

INSTAT rrit shifrat sipas censusit

Instituti i Statistikave ka korrigjuar duke rritur ndjeshëm rezultatet për prodhimin kombëtar për tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2011.

Sipas të dhënave të fundit, rezulton se rritja ekonomike në tremujorin e parë është ndryshuar nga 3.4 për qind në 4.5 për qind, ndërsa ajo e tremujorit të dytë gati është dyfishuar nga 0.5 në 0.9 për qind.

INSTAT thotë se rishikimi i shifrave lidhet fortë edhe me rezultatet e fundit të proçesit të shumëdebatuar të censusit.

Regjistrimi i ri i ndërmarrjeve ka ndryshuar peshat e sektorëve në ekonomi, të cilave INSTAT u referohet për të llogaritur rritjen ekonomike.

Korrektimi në rritje të fortë i shifrave tregon se praktikisht censusi ka ulur peshën e sektorëve që janë në krizë si ndërtimi apo dhe ndonjë tjetër dhe ka rritur peshën e sektorëve që kanë një gjendje më të mirë.

Me ndryshimin e shifrave të prodhimit në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2011, rritja ekonomike bëhet më e lartë duke tentuar të kapë nivelin 3 për qind. Ky nivel që po jep INSTAT përkon edhe me pretendimin e qeverisë.

Si nëntmujor, shifrat e reja e çojnë rritjen ekonomike krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë në 2.7 për qind, ndërkohë që me shifrat e mëparshme rezultati luhatej rreth nivelit 2 për qind.

Top Channel