ZMK: Hetime për sigurimet

13/02/2012 00:00

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dorëzoi zyrtarisht tek Autoriteti i Konkurrencës një ankesë mbi rritjen e çmimeve për siguracionin e makinave.

“Është denoncimi më i lehtë pasi faktet janë të dukshme, nuk duhet ndonjë hetim i madh dhe masat mund të merren shumë shpejt. Kemi një marrëveshje që pengon konkurrencën e lirë pasi fikson çmimet dhe i rrit ato”, deklaroi kryetari i ZMK-së, Altin Goxhaj.

ZMK thotë se qeveria duhet të ndryshojë ligjin për sigurimet e mjeteve motorike, pasi kështu tregu do funksiononte më mirë.

“Një nga opsionet që ne propozojmë është heqja e detyrimit të sigurimit për makinat, vetëm kështu do të ketë një konkurrencë të ndershme. Konsumatori është i detyruar të paguajë dhe vetëm atëherë kur do të ketë të drejtë të zgjedhë do të mund të ketë konkurrencë të lirë”, nënvizoi Goxhaj.

Ankesa për zhvillimet në tregun e sigurimeve ka patur edhe nga Konfindustria, një shoqatë që grupon bizneset prodhuese. Sipas saj, mënyra se si funksionon tregu i sigurimeve në Shqipëri është shfaqje e qartë e kapjes së shtetit.

Top Channel