Liqeni i hidrocentralit të Fierzës ka ngrirë. Temperaturat shumë të ulta dhe era e acartë ka bërë që sipërfaqja e liqenit të hidrocentralit në zonën pranë qytetit të Kukësit të mbulohet nga një shtrese e madhe akulli e cila vazhdon për qindra metra në brendesi të liqenit.

Sipas Korporatës Elektroenergjitike, ngrirja e sipërfaqes së liqenit nuk ka shkaktuar probleme në turbina. Situata e pazakontë e ngrirjes se liqenit erdhi pas ditë të tërash me temperatura shumë të ulta nën 20 gradë nën zero.

Edhe vetë qyteti i Kukësit është në vështirësi shumë të mëdha për shkak të dimrit.

Rrugët pastrohen çdo ditë nga dëbora, por lëvizja është e këshillueshme vetëm me zinxhirë për shkak të pranisë së madhe të akullit. Shume aktivitete janë ndërprere, midis tyre shkollat, kopshtet e çerdhet, ndërsa është kufizuar edhe lëvizja në rrugë.

Dukagjini ne emergjence, i vdekuri nuk varroset

Komuna Shalë në Dukagjin, prej dy javësh është tërësisht e izoluar nga dëbora dhe ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Mbi 5 mijë banorë të 11 fshatrave kërkojnë ndihmë për ushqime, ilaçe dhe mjekime.

Për shkak të dëborës qe ka shkuar në dy metra, banorët nuk kanë mundesi as të varrosin një të vdekur.

Në zonë ka mungesa të mëdha të ushqimeve dhe sipas këshilltarëve të komunës shumë famijëve u ka mbetur vetëm misër i zjerë si ushqim i vetëm.

Dibra ne pushtetin e akullit

Vështirësi të mëdha ka edhe në Qarkun e Dibrës, në Bulqizë lëvizja në rrugë është e veshtirë për shkak të akullit dhe shikueshmerise së ulet që shkaktohet nga stuhite e dëborës.

Mjetet borëpastruese janë në gjendje pune për të hapur rrugën, e cila shpesh bllokohet nga dëbora e grumbulluar për shkak të erës së fortë.

Edhe në Peshkopi është e njëjta situatë. Në këtë qytet kane ngrirë edhe tubacionet e ujësjellësit, ndërkohë që rruget janë ende të mbuluara nga dëbora dhe akulli.

Mësimi është ndërprerë në të gjitha shkollat, ndërkohe që njoftohet se edhe në Qarkun e Korçës, mësimi është ndërprerë për shkak të motit dhe temperaturave siberiane.

Top Channel