21 janari, ish-drejtuesit: SHKB sajoi provat

07/02/2012 00:00

Ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, kanë hedhur akuza të rënda, qoftë për rolin e policisë në datën 21 janar, por edhe për vetë raportin e SHKB-së.

Një prej specialistëve të rendit dhe sigurisë publike, Besnik Shehu thotë se kishte një çorganizim të organizuar.

“Aty ka patur një çorganizim të organizuar duke filluar që nga veprimet planifikuese e deri tek ato zbatuese që gjeneruan në veprime dhune në fund të mitingut nga ana e policisë”, thotë ish-drejtuesi i lartë i policisë, Besnik Shehu.

Ndërsa ish-drejtori i Tiranës Pjerin Ndreu thotë se atë ditë nuk dhanë urdhëra elita e policisë, por politika dhe Garda.

“Asnjë nga drejtuesit, policë karriere nuk mund të marrin përsipër kurrë, përdorimin e armës mbi turmën. Ky veprim është jashtë vendimmarrjes së elitës policore e cila ka qenë në hije, sepse vetë veprimet policore tregojnë mungesë të theksuar profesionalizmi, që do të thotë se komandimi në veprimet e të gjitha trupave në vendngjarje ka qenë në dorën e politikës dhe një pjese ushtarakësh që nuk e njohin fare manaxhimin e turmës”, thotë ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Pjerin Ndreu.

Ish-kolonel, zoti Shehu ngre akuza akoma edhe më të rënda për SHKB. Ajo thotë ai, në ligj ka atribute të policisë gjyqësore për hetime të tilla dhe kishte të gjitha mundësitë dhe kushtet për të gjetur kush dha urdhërin për të qëlluar.

“Në rastin konkret, për një ngjarje të rëndë me katër viktima, atëherë SHKB automatikisht duhet të kalonte në pozicionin e një shërbimi të policisë gjyqësore, pra me iniciativë, me urdhër nga prokuroria, duhet të ndërmerrte veprimet për të dokumentuar nga ana ligjore të gjitha shkeljet që kishte bërë qoftë policia, apo individë të policisë në këtë operacion policor të integruar me Gardë. SHKB është anashkaluar qëllimisht nga kjo lloj detyre ose dikush e ka urdhëruar të mos implikohet në këtë hetim, duke ja lënë në dorë vetëm prokurorisë”, thotë Besnik Shehu.

Ndërsa Ndreu thotë se SHKB-ja ka sajuar prova.

“Policia në veprimet e veta ka qenë aprofesionale, aq më tepër nëse ka patur informacion. Policia kishte informacione dhe la makinat në mes të protestuesve?! Kjo për mua flet qartë se këto informacione janë shpikur pas dhe jo para. Është e thjeshtë të gjykohet, pra nuk ka patur informacione të tilla, fare”, deklaron zoti Ndreu.

Top Channel