Tekste për shqiptarët në Serbi

28/01/2012 00:00

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në Serbi kërkojnë mbështetje më intensive nga Tirana zyrtare për të zgjidhur disa probleme me shtetin serb përsa i takon arsimit, kulturës dhe lëvizjes së lirë.

Një nga këto probleme, ajo e abetareve, do të zgjidhet së shpejti nëpërmjet një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Serbisë, gjë që u konfirmua nga Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto gjatë takimit me të vetmin deputet shqiptar në parlamentin e Serbisë, Riza halimi dhe kryetarin e Këshillit Nacional Shqiptar të Luginës së Preshevës, Galip Beqiri.

“Kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë që të ketë një angazhim më të madh përsa i takon çështjes së teksteve. Së bashku me homologët e institucioneve përkatëse të Serbisë do të arrijmë një marrëveshje për tekstet që do të dërgojmë për ciklin e ulët dhe shkollën  e mesme të Luginës së Preshevës”, tha në fjalën e rastit, Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.

“Biseduam për probleme të ndjeshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zgjidhja e të cilave kërkon sigurisht një ndihmë të madhe të konsiderueshme të qeverisë shqiptare. Unë jam optimisit se të gjitha këto probleme do t’i zgjidhim edhe pse kërkojnë një angazhim të jashtëzakonshëm dhe posaçërisht këto ditë kur kemi dhe probleme të qarkullimit të lirë të qytetarëve”, tha Riza Halimi, deputet shqiptar në parlamentin e Serbisë dhe përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Gjatë takimit mes zotit Haxhinasto dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës u bashkërenduan edhe aktivitetet që shqiptarët e kësaj zone në Serbi do të organizojnë me rastin e 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar.

Top Channel