CEZ humb betejën e radhës me ERE-n

27/01/2012 08:25

Edhe pse kontraktoi një prej audituesve më të njohur dhe me përvojë në fushën e bilanceve financiare, CEZ humbi një nga betejat më të mëdha me Entin Rregullator sa i takon vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, raportoi ditën e premte e përditshmja “Shqip”.

Në dhjetor, ERE nuk e mori në konsideratë kërkesën e kompanisë çeke për rritjen e tarifës së dritave me 4.5 për qind, madje i uli normën e të ardhurave, pasi rriti çmimin e energjisë që CEZ blen te KESH-i (Korporata Elektroenergjetike).

Ky vendim acaroi pa masë kompaninë, duke deklaruar publikisht se nuk do të investonte aq sa kishte premtuar dhe se do të rishikonte kostot, duke paralajmëruar reduktim stafi dhe uljen e pagave për rreth 4500 punonjës.

Çekët nuk e lanë me kaq, por e ankuan vendimin e datës 7 dhjetor, duke kërkuar ballafaqimin e të dhënave sa i takon shpenzimeve operative dhe investimeve, hap ky drejt miratimit të rritjes së çmimit në rast se ERE aprovonte bilancin e 2012-s.

CEZ kërkoi ngritjen e një paneli kompanish audituese të pavarura, gjë që u miratua nga ERE, madje në lojë hyri dhe sekretariati energjetik i Vjenës. Prej një muaji palët kanë negociuar në çdo drejtim, kanë analizuar çdo shpenzim, ku mësohet se CEZ nuk ka pasur mundësi të justifikojë kostot operative, që nuk kanë lidhje me investimet, aq shumë të munguara në këto kohë.

Dështimi

Sikurse bën publike portali “energjia.al”, Enti Rregullator mori dy ditë më parë një vendim sa i takon “ankimimit të ‘CEZ Shpërndarje’ për vendimin e ERE-s, për miratimin, përkatësisht të Tarifës së Shërbimit të Shpërndarjes dhe Çmimeve të shitjes me pakicë të energjisë elektrike te klientët fundorë, për periudhën e tretë rregullatore 2012-2014”.

I pyetur nga “Shqip”, kreu i ERE-s, Sokol Ramadani, tha se ankesa e CEZ-it u rrëzua për shkaqe që lidhen me shpenzime të pajustifikuara. “Verifikuam çdo të dhënë dhe analizuam kostot, të cilat nuk ishin të justifikuara”, thotë Ramadani, duke shtuar se edhe kompanitë audituese pranuan realitetin.

Humbja e çështjes me tarifat nuk ishte e papritur për CEZ, madje konsiderohet deri diku si taktikë për të arritur në një tjetër manovër. Tashmë kompanisë i jepet e drejta të ankohet më lart, në institucionet shtetërore dhe në organizmat ndërkombëtare, me qëllim të përfitojë sa më shumë nga garancia e qeverisë shqiptare, prej 60 milionë dollarësh, të lënë peng te Banka Botërore në rast se konstatohet shkelja e Deklaratës Rregullatore.

Për të vërtetuar nëse dokumenti zyrtar i privatizimit është shkelur, pra njëra nga palët, në rastin konkret CEZ, është cënuar, me pasoja financiare, atëherë i lind e drejta të përfitojë me anë të garancisë, që Banka Botërore ka të drejtë ta akordojë.

Rikthimi

Megjithatë, deri në arritjen e kësaj pike, CEZ-it do t’i duhen disa muaj të tjerë negociatash, lodhje dhe shpenzime pa fund, për rrjedhojë kompania po mendon të tjerë skenarë.

Deri atëherë ka kohë për zgjidhjen e problemit, pasi mësohet se ERE i ka dhënë një tjetër mundësi çekëve. Palët kanë rënë dakord që për vitin 2013, të rishikohet mundësia e studimit të planit të shpenzimeve dhe të tarifave.

“Mund të bëjmë ndonjë korrigjim nëse është e nevojshme, te tarifat pa prekur konsumatorin, por ndërmjet dy operatorëve, CEZ dhe KESH”, tregon Ramadani.

Përballja mes CEZ dhe ERE ka nisur tre vjet më parë, ku më i fituari ka qenë Enti Rregullator, po në morinë e përplasjeve ligjore është tepër e vështirë të kuptosh se kush ka të drejtë dhe kush gënjen.

Ajo çfarë dihet me siguri është fakti se vijimi i betejës për tarifat shoqërohet gjithnjë me situata absurde të kufizimit të dritave dhe si gjithnjë, ai që e pëson është konsumatori.

Top Channel