Selanik, masakrohet 16-vjecarja shqiptare

25/01/2012 00:00

Një 16-vjecare nga Drenova e Korcës është gjetur e masakruar në Selanik në zonën e quajtur Lagada. Policia greke konfirmon se kufoma i përket 16-vjecares Kristina Micani trupi i së cilës u gjet pa jetë së bashku me një shtetas grek, i njohur si miku i ngushtë i adoleshentes.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se dy adoleshentët ishin zhdukur prej disa javësh. Mësohet se vajza shqiptare jetonte në Selanik me babain e saj me të cilin ka pasur konflikte.

Nga hetimet në vendin e ngjarjes, dyshohet se dy viktimat janë vrarë në mënyrë macabre, ka thënë një zyrtar i policisë që shkoi në vendin e ngjarjes.

Ka qenë një banor i zonës, që teksa mblidhte dru në pyll, ka zbuluar viktimat, duke dhënë edhe dëshmitë e para. Sipas hetimeve, të rinjtë ishin vrarë dhe ishin hedhur në këtë zone rurale për të humbur gjurmët e krimit.

Ndërsa mjeku ligjor ka konfirmuar se adoleshentët kishin marrë goditje në kokë dhe në gjoks me një objekt të fortë i cili dyshohet se mund të ketë qenë sëpatë.

Vrasja trondit familjarët në Korcë

Lajmi i tronditës për 16-vjecaren nga Drenova e cila është gjetur e vrarë në Selanik ka tronditur familjen e saj.

Pas divorcit të prindërve vite më parë, 16-vjecarja Kristiana Micani jetonte në shtetin grek së bashku me babain dhe motrën e saj më të vogël.

Lajmi ka tronditur edhe familjarët e nënës së vajzës në fshatin Kamenicë, të cilët nuk kanë pasur dijeni në lidhje me krimin tronditës.

Sipas gjyshit të 16-vjecares, Hekuran Halili vajza është larguar edhe herë të tjera nga shtëpia pasi kishte një lidhje intime me një djalë i cili jetonte po në Selanik.

Marrëdhëniet mes babait dhe vajzës ishin konfliktuale edhe si rrjedhojë e kushteve të vështira ekonomike, por gjyshi i vajzes përjashton faktin se Thimi Micani mund të ketë pasur konflikte me persona të tjerë të cilët do të conin në vrasjen e 16-vjecares.

Prej vitesh vajza dhe motra e saj jetonin me babain në shtetin grek ku edhe ndiqnin shkollën , ndërkohë që adoleshentja shpesh largohej nga shtëpia pas konflikteve me babain e saj.

Top Channel