Ulje temperaturash në mbarë vendin

14/01/2012 00:00

E gjithë Shqipëria do të përfshihet deri ditën e mërkurë nga rrymat
polare veriore të cilat do të shoqërohen me temperatura mjaft të ulëta
nën zero.

Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, si pasojë e rikthimit të të ftohtit polar, duke nisur nga mëngjesi i së dielës, në zonat veriore, vendet e ulëta dhe zonat bregdetare, temperaturat do të zbresin ndjeshëm ku vlera më ekstreme do të regjistrohet në Peshkopi minus 15 gradë Celsius.

Ndërsa në Tiranë e Durrës temperaturat e mëngjesit do të zbresin deri në minus 5 gradë celsius. Kjo situatë do të vazhdojë deri ditën e mërkurë ku moti pritet të jetë i kthjellët por shumë i ftohtë duke regjistruar kështu temperaturat më të ulëta të vitit.

Duke nisur nga e enjtja në mbarë vendin do të rikthehen vranësira të cilat do të shoqërohen me reshje shiu e bore. Ndërsa temperaturat do të pësojnë një rritje të lehtë por të papërfillshme.Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në zonat malore temperaturat minimale do të zbresin në minus 8 gradë ndërsa ato maksimale deri në 2 gradë Celsius.

Në zonat e ulëta temperaturat minimale do të jenë 0 gradë ato maksimale 10 gradë Celsius, ndërsa në bregdet temperaturat e mëngjesit do të shkojnë deri në 1 gradë dhe në mesditë 11 gradë Celsius.

Top Channel