Bllokimi i parashikuar i dy pikëkalimeve kufitare nga ‘Vetëvendosja’ nuk
do të ndihmojë Kosovën as në pozicionin ndërkombëtar dhe as në
normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kështu ka deklaruar Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Peter Faith, bën të ditur RTK-ja.

Sipas tij, plani i ‘Vetëvendosjes’ për të bllokuar pikëkalimet kufitare me Serbinë në Merdar dhe te Dheu i Bardhë të shtunën nuk do të jetë i dobishëm për përpjekjet e Qeverisë, shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare për të zhvilluar marrëdhënie normale dhe fqinjësore midis Serbisë dhe Kosovës.

“Kjo nuk është një sjellje e përgjegjshme nga ana e një organizate e cila është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Nëse veprimi i Vetëvendosjes realizohet, ky do ta dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, ndërkohë që do të demonstrohet mungesë e respektimit të njërës nga vlerat thelbësore të Europës, që është liria e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve”, ka deklaruar Faith.

Vetëvendosje nuk ndalet

Zyrtarë të Policisë së Kosovës u takuan me drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje pasditen e së enjtes. Pas takimit, në një konferencë për shtyp, Vetëvendosje deklaroi se Policia e Kosovës e kishte garantuar se do t’i lejojë të grumbullohen në pikat kufitare, ndërsa kjo lëvizje në këmbim i dha garanci zyrtarëve të rendit, se protesta do të jetë paqësore dhe pa bllokada rrugësh.

Drejtuesit e lëvizjes kanë premtuar se do të bllokojnë vetëm mallrat serbe, por jo ato që vijne nga presheva apo mallrat që kalojnë tranzit në kufirin Kosove-Serbi. Sipas Vetëvendosjes kjo po bëhet me qëllim të zbatimit të mocionit të Kuvendit për reciprocitet tregtar politik e ekonomik me Serbinë.

Takimi u zhvillua në selinë e Vetëvendosjes, ndërsa paralelisht, drejtues të Vetëvendosjes nga ana tjetër zhvilluan një tubim në Pallatin e Rinisë. Glauk Konjufca në fjalën e tij tha se pushteti rrëzohet me votën e lirë. Por se janë gati për kryengritje popullore, sepse kjo qeveri sipas tij i ka rrugët e mbyllura.

Top Channel