Tiranë, pranga 5 zyrtarëve të Pronave

11/01/2012 00:00

Pesë zyrtarë të Agjensisë rajonale të Kthimit dhe Kompesimit të pronave janë arrestuar të mërkurën nën akuzën e korrupsionit dhe tjetërsimit të pronës.

Sipas Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përfituar nga pozita zyrtare dhe nëpërmjet falsifikimeve, i kanë kthyer trashëgimtarëve të familjes “Jenisheri” një pronë prej 79 dynym, duke e spostuar pronën e kthyer nga vendndodhja reale në bregdetin e Komunës Gos Kavajë, si dhe duke ndryshuar dhe zërin kadastral nga tokë ranishte në arë.

“Jane arrestuar Bledar Josif Dervishaj, 35 vjeç, banues në Tiranë, ish-drejtor i zyrës rajonale të KKP në Tiranë, Ali Rustem Aliaj, 50 vjeç, banues në Tiranë, ish-përgjegjës i sektorit juridik në zyrën rajonale KKP në Tiranë, Dhimtër Foto Papa, 49 vjeç, banues në Tiranë, ish-topograf në zyrën rajonale KKP, Tiranë, aktualisht hartograf pranë zyrës vendore të rregjistimit të pasurive të paluajtshme në Tiranë, Merita Shaqir Gjinali, 49 vjeç, banuese në Tiranë, ish topografe në KKP Tiranë. Keta persona akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenatve nga personi që e ka për detyrë e kryer në bashkëpunim. Në kuadër të këtij operacioni u arresua edhe shtetasi, Njazi Hysni Ademi, 48 vjeç, banues në Durrës, topograf i licensuar, aktalisht punonjës ujësjellsi i Durrësit, i cili akuzohet për veprën penale për falsifikim dokumentash dhe ekspertim i rremë”, tha Klejda Plangarica, zëdhënëse e Policisë së Shtetit. 

Arestimet erdhen pas hetimeve 5 mujore. Gjykata ndërkaq dha masën e sigurisë arrest me burg, ndërsa u sekuestrua prona e dhënë në rrugë të paligjshme.

Operacioni “Pronë e Spostuar” vijon për persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
 

 

Top Channel