Opozita të japë dorëheqjen!!!

06/01/2012 00:00

Leonard Boduri – Bilanc 2011…Bilanc më të mirë ekonomik për vendin nuk mund të prisnim për vitin që tronditi ekonomitë më të mëdha të botës.

Ekonomia shqiptare, si një shkëmb graniti, i ka bërë ballë të gjitha dallgëve që kanë buruar nga kriza financiare botërore. Kur të gjitha vendet fqinje kanë vuajtur pasojat e krizës ndërkombëtare, në Shqipëri të gjithë treguesit ekonomikë janë përmirësuar ose janë në përmirësim e sipër. Nuk e merrni dot me mend se sa e sa projekte janë nisur nën udhëheqjen e lavdishme të oborrit qeveritar, pavarësisht se ende nuk kanë përfunduar. Përballë arritjeve kolosale është i pakuptueshëm qëndrimi dhe roli i opozitës së majtë, e cila ka marrë përgjigjen e merituar, duke u vënë me shpatulla për muri dhe duke tërhequr pas vetes zërat që kërkojnë me forcë “dorëheqjen” e saj, qoftë nga opinioni i brendshëm, ashtu edhe nga ai i jashtëm. A mund të mohojmë punën titanike të qeverisë që e shohim të pasqyruar në mijëra kilometra të shiritave të kuq, të prerë gjatë fillimit të punimeve të projekteve të panumërta? Pikërisht për këto arsye “të forta”, gjatë vitit 2011 nuk kanë munguar edhe protestat masive të stilit të vjetër që kërkonin dorëheqjen e opozitës dhe largimin e saj, pa na e thënë se për ku.

Në deklaratat zyrtare për arritjet kryesore të ekonomisë shqiptare për vitin 2011 do të kuptojmë që nuk kemi të bëjmë me ato dokrrat apo pallavrat e zakonshme që janë një formalitet i mërzitshëm, por ato kanë baza të shëndosha duke iu referuar burimeve tejet “të besueshme” që vijnë nga institucione “të pavarura”, si p.sh. INSTAT-i. Në Shqipëri, viti mbyllet me një deficit buxhetor 3.5 për qind, me një nivel borxhi publik jo mbi 60 për qind dhe një rritje ekonomike fantastike prej 3.9 për qind. Është trumbetuar me të madhe dyfishimi i eksporteve në harkun kohor dyvjeçar, por kuptohet, jo për mungesë transparence apo ndonjë qëllim të keq mungojnë të dhënat zyrtare për deficitin tregtar të vendit. Përballë këtyre arritjeve të padiskutueshme gjendet opozita më e papërgjegjshme në botë, që kërkon rritjen e taksave për të pasurit dhe uljen e barrës fiskale për shtresat e varfra, në një kohë kur ekonomia po ecën për mrekulli. Po ku kanë parë këta rezultate ekonomike të këtij niveli, që pa frikë, nëse nuk do të kishte munguar vota e opozitës në Parlament për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave do të ishte patjetër një rritje dyshifrore?

Bazat e këtij suksesi të paparë gjenden në modelin ekonomik që ka zgjedhur të zbatojë qeveria shqiptare si dhe funksionimi i reformave të ndërmarra. Është ngritur në qiell rritja e treguesve: të lirisë ekonomike me 16 për qind, të fillimit të biznesit me 27 për qind më të lehtë se në vendet anëtare të OECD-së si dhe të investimit në Shqipëri me 5 për qind më të lehtë se mesatarja e vendeve anëtare të saj. Rritja e indeksit të perceptimit të korrupsionit në Shqipëri si dhe zbritja me 8 shkallë në renditjen botërore nga vendi i 87-të në vendin e 95-të, padyshim janë statistika të financuara nga opozita e papërgjegjshme. Pretendimet e tyre se korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor në Shqipëri mbajnë larg investitorët e huaj, të cilët me praninë e tyre do të mund të krijonin vende pune të reja me anë të teknologjive të reja dhe kapitalit që do të sillnin në vend, si dhe do të mund të ndihmonin nëpërmjet aktiviteteve ekonomike bilancin deficitar të Shqipërisë, janë thjesht shpifje të fëlliqura. Pra, reformat e thella të qeverisë, konsolidimi dhe zbatimi i tyre, bëjnë që Shqipëria të kapë çdo vit e më shumë pozicione të rëndësishme në rrugën e saj si vend i zhvilluar.

Ky vit ishte një vit i madh për degët prioritare të ekonomisë shqiptare, të bujqësisë dhe turizmit. Janë dy dhe trefishuar eksportet e frutave, perimeve dhe zarzavateve, si asnjëherë më parë. Ka një rënie të madhe, deri në 40 për qind, në importet e ushqimeve bazë, sepse ato po zëvendësohen me prodhimet e vendit. Ndonjë e dhënë zyrtare për zëvendësimin e importit të ushqimeve bazë me prodhimin vendas nuk ofrohet me qëllim që t’i mbyllet goja hamendjeve dhe gjetjeve mediatike, që pretendojnë se kemi një ulje të konsumit vendas si dhe rritje të mjerimit në vend. Turizmi ka qenë një fushë që ka njohur zhvillime të mëdha. Nuk mund të lëmë pa përmendur mbështetjen e paparë ndaj këtij sektori me anë të miratimit të ligjit që i hap rrugën zhvillimit të industrisë së riciklimit të mbetjeve. Karta e riciklimit “nuk ka harruar” të marrë në konsideratë humbjet dhe kërcënimet mjedisore të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qytetarët e vendit, por ka hedhur poshtë me forcë zërat kundër të të vetëquajturës “shoqëri civile”, që nuk është tjetër vetëm se një vegël e opozitës që punon kundër interesave të vendit dhe përparimit të tij. Industria e riciklimit është orientuar në liberalizimin e tregut të mbetjeve, prioritet surprizë e qeverisjes. Një mbështetje e fortë për ekonominë shqiptare ka qenë edhe sektori i energjisë. Është mbrojtur me forcë modeli i menaxhimit të KESH sh.a. të kaskadës së Drinit si dhe aftësitë unikale për të shitur lirë dhe për të blerë shtrenjtë energjinë elektrike në tregun rajonal, duke u mbështetur fort në “merakun e madh” që popullit të mos t’i mungojë energjia, pavarësisht çmimit. Është importuar energji elektrike sa kurrë më parë, deri në 17 milionë kilovat/orë në ditë. Për këtë arsye janë mbuluar gjithashtu me garanci qeveritare kreditë e KESH-it, në shumën rreth 100 milionë euro, kuptohet për të mirën e popullit.

Zhvillime ndër më të mëdhatë ka njohur infrastruktura e vendit. Janë asfaltuar dhe janë në përfundim e në ndërtim e sipër 1400 kilometra rrugë, autostrada, superstrada, rrugë dytësore dhe rrugë tretësore. Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur punime më të mëdha e intensive në infrastrukturën rrugore të vendit. Nuk është e nevojshme që të bëhen përpjekje për të nxjerrë nga thesi i madh i numrave dhe i shifrave të bujshme pak grimca transparence dhe të na japë informacion mbi ecurinë reale të punimeve. Nuk besoj të kemi ndonjë dyshim nëse do të mbahen apo jo premtimet e dhëna në fushatat elektorale në lidhje me “Boshtin e Jugut” dhe “Rrugën e Arbrit”. Gjithashtu, projektet “Levan-Tepelenë” dhe “Levan-Vlorë” kanë ecur me “hapa galopantë”, por akoma nuk kanë përfunduar për disa probleme të vogla. Gojë të liga thonë se projektet kanë ngecur se mungojnë fondet dhe ka shumë fatura të papaguara ndaj kompanive të kontraktuara, aq sa Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk pranon më fatura nga kompanitë private që të mos rrisë shumën totale të detyrimeve. A mund t’u besojmë këtyre thashethemeve dashakeqe kur financat shqiptare kanë shënuar rezultatet më të larta në Europë dhe mbase edhe në botë? Hapa të rëndësishëm janë hedhur në përmirësimin e sinjalistikës e rrjetit rrugor, por shqiptarët janë të padisiplinuar, prandaj bilancet e aksidenteve rrugore janë akoma të ngjashme me bilance lufte.

Arritje të rëndësishme ka shënuar ky vit edhe në fushën e shëndetësisë. Në fillim të vitit u miratua ligji për sigurimet shëndetësore, një nga ligjet më kryesore të reformave. Është bërë një punë e madhe për kostifikimin e të gjitha shërbimeve dhe askush nuk mund të hedhë insinuata dhe të pretendojë se në sektorin e shëndetësisë po kryhet një krim i shëmtuar dhe gjakftohtë. Është tmerrësisht e turpshme dhe e dënueshme të akuzosh për mbizotërimin e praktikave korruptive në sektorin shëndetësor në të gjithë vendin. A mundet që për shkak të nivelit mizerabël të rrogave të mjekëve dhe mungesës së shpërblimit të tyre sipas meritës dhe punës që kryejnë, në një farë mënyre të pretendohet se është legjitimuar korrupsioni masiv dhe se shkelet hapur dhe përditë “Betimi i Hipokratit”? Të panumërta janë mjetet e kujdesshme të kursimit dhe të antikorrupsionit të ndërmarra në sektorin e shëndetësisë. Të bie në sy “mbajtja” e premtimit të deklaruar në fillim të vitit 2011, se çmimi i medikamenteve do të ulej me 30 deri në 40 për qind nga vendosja e TVSH-së. “Zhdukja” finale e korrupsionit masiv në shëndetësi, një nga plagët më të mëdha dhe më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare, duket sheshit në fjalimet brilante të përfaqësuesve qeveritarë dhe nuk mund të mohohet dhe të eklipsohet me ndonjë rast të veçuar që mund të jetë pasqyruar me tendencë opozitare në media. Kjo është padyshim një ngjarje e shënuar që nuk mund ta kalojmë me ironi të thatë, apo duke qeshur me hidhërim.

Padyshim, përballë arritjeve të tilla, të panumërta dhe të shkëlqyera me anë të përpjekjeve titanike të një oborri të bindur dhe të devotshëm, nuk mund të kuptojmë arsyen pse Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat për në BE, përveçse duke e gjetur përgjegjësinë tek opozita e papërgjegjshme shqiptare, e cila ka vetëm një rrugëdalje: të japë dorëheqjen…

Gazeta “Shqip”

Top Channel