Llogaridhënia e Ujësjellësit

06/01/2012 00:00

Mungesa e ujit të pijshëm në disa zona, mbifaturimi e të tjera probleme me ujësjellësin për të cilat ankohen qytetarët kanë marrë përgjigje nga drejtues të ujësjellësit, të thirur nga Avokati i Popullit.

“Gjatë vitit 2011 qytetarët tek ne janë ankuar për mungesë informimi lidhur me mbifaturimin dhe keqpërdorimin e marrëdhënieve funrizues-konsumator”, ka deklaruar Florina Nuni, komisionere e Avokatit të Popullit.

“Ne për cdo ndërhyrje njoftojmë qytetarët. Duhet të diferencojmë një kategori njerëzish që nuk janë të sinqertë dhe keqpërdorin mungesën e ujit. Uji është mall dhe ka një kosto që duhet paguar, nëse s’e paguajnë ne nuk e japim”, është përgjigjur drejtori i ujësjellësit, Seit Dollapi.

Pranë Avokatit të Popullit janë depozituar një mori ankesash, 86 prej të cilave janë vlerësuar si të drejta nga ky institucion.

Nisur nga shqetësimi i familjeve rome në Shkozë, të cilët nuk furnizohen me ujë për shkak se nuk kanë kontrata me ujësjellësin, Avokati i Popullit ka marrë premtimin e ndërmarrjes se këtyre familjeve do t’u mundësohet të paktën një cezmë pranë barrakave ku ata jetojnë.

“Zoti Dollapi mori iniciativën që ky problem të zgjidhet dhe besoj se nesër do fillojë puna për zgjidhjen e tij. Janë një numër i konsiderueshëm qytetarësh që kanë sjellë ankesa tek ne. Dëgjime të tilla do të zhvillohen me cdo institucion dhe ent që ka marrëdhënie me qytetarin”, ka deklaruar Igli Totozani, Avokat i Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit, bazuar në ankesat e qytetarëve, do t’u kërkojë llogari të gjithë institucioneve që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve e nuk respektojnë kontratat e lidhura me ta.

Top Channel