Ndahet nga jeta prokurori Xhevat Hana

05/01/2012 00:00

Është ndarë nga jeta Xhevat Hana, prokuror i Krimeve të Rënda.  Ai vuante nga një sëmundje e rëndë prej disa kohësh.

Mësohet se prokurori me përvojë ndërroi jetë në një spital të Italisë ku ishte dërguar disa ditë më parë, ku nuk mundi ta fitojë betejën me sëmundjen.

Xhevat Hana, 58 vjec, ishte  një prej  prokurorëve më të njohur të Shqipërisë në mënyrë të vecantë për profilin e cështjeve me karakter korruptiv të zyrtarëve të lartë shtetëror.

Ai ka pasur një karrierë të gjatë në drejtësi dhe për disa kohë ka qenë edhe këshilltar i presidentit, Alfred Moisiu.

Vitet e fundit ai ishte përfshirë në një prej cështjeve më të bujshme të drejtësisë shqiptare, atë të hetimit të zhdukjes nga ish-oficerët e SHIK-ut, të biznesmenit Remzi Hoxha.

Prokurori Hana do të mbahet mend për vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund zbardhjes të kësaj cështje duke këmbëngulur për të sjellë përpara drejtësisë shqiptare nga Anglia, ish-drejtorin e SHIK-ut për Tiranën Ilir Kumbaro.

Cështje të tjera të bujshme që prokurori Hana ka hetuar ndër vite, ishte edhe ajo e skandalit me fondet e rrugës Durrës-Kukës, rrethrrotullimin e Zogut të Zi, bandës së Zani Caushit në Vlorë, etj.

Top Channel