Librazhd, protestë kundër mbeturinave

05/01/2012 00:00

Depozitimi i mbeturinave urbane dhe ato spitalore në komunën Qendër në Librazhd ka ngritur në protestë banorët e kësaj zone.

Pas dy rasteve të vdekjeve dhe të sëmurëve të shtruar në spital, banorët pavarësisht shkakut të sëmundjes mendojnë se mbeturinat duhet të largohen menjëherë nga zona e tyre e banimit.

Në këtë zonë hidhen mbeturinat urbane të qytetit të Librazhdit, mbetjet spitalore por edhe mbetjet e pularive.

“Shqetësimi ynë si banorë, kemi ndotjet toksike që vijnë nga plehrat që hedhin këtu. Ka patur raste të sëmurësh. Këtë shqetësim do të ngrëmë që të hiqen plehrat që hidhen këtu”, thotë një banor i komunës Qendër.

Për banorët e komunës Qendër kjo është protesta e parë që kërkon largimin e mbeturinave. Ata lajmërojnë se së shpejti do vendosin blloqe betoni në rrugë për të penguar mjetet e rënda të shkarkohen aty.

Top Channel