Fullani: 2012 do rrisë pasigurinë

28/12/2011 16:25

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani bëri daljen e fundit para mediave për vitin 2011.

Dalja e tij ishte pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku u vendos mosndryshimi i normës bazë të interesit. Pasi komunikoi këtë vendim të Këshillit, zoti Fullani bëri një parashikim për ekonominë në vitin e ardhshëm.

“Projeksionet për ecurinë e ekonomisë në të ardhmen mbeten subjekt i një shkalle të lartë pasigurie, të ndikuar kryesisht nga zhvillimet e ekonomisë botërore. Analizat tona sugjerojnë vazhdimisht që vazhdimësia e normës së moderuar të rritjes së aktivitetit ekonomik në pjesën e mbetur të vitit, do të duket edhe në vitin e ardhshëm”, tha Fullani.

Sipas tij ekonomia jonë në vitin 2012 do të përballet me një pasiguri në rritje, cka do të sjellë që rritja e prodhimit të mbetet e ngadaltë. Panorama vështirësohet edhe nga kriza në eurozonë, krizë e cila pritet të fundosë në recesion shumë vende të monedhës së përbashkët.

“Ngadalësimi ekonomik në vendet partnere në një kërkesë të huaj më të dobët dhe në ngadalësim të mëtejshëm të eksporteve shqiptare. Gjithashtu hapësirat për zbatimin e stimujve fiskalë janë ngushtuar në përgjigje të nevojës në rritje për qendrueshmëri fiskale dhe kontrollin e treguesit të deficitit dhe të borxhit publik”, tha guvernatori.

Në të tilla kushte, dhe kur qeveria nuk ka më hapësirë për nxitjen e prodhimit, e vetmja zgjidhje, sipas guvernatorit Fullani mbetet rritja e konsumit. Ai ftoi të gjithë individët të mposhtin frikën dhe të rrisin konsumin, ndërsa për biznesin apeloi që të rrisë investimet.

Sa për sistemin bankar në vend, zoti Fullani tha se ai vijon të mbetet solid dhe në gjendje të mbështesë kërkesa të larta për financim. Guvernatori parashikoi kushte më të mira kreditimi nga bankat si për bizneset ashtu dhe për individët gjatë vitit të ardhshëm.

“Në këto kushte masa dhe shpejtësia e gjallërimit të kërkesës së sektorit privat të ekonomisë do të jenë përcaktuese për rritjen e aktivitetit ekonomik në vend”, deklaron Fullani.

Top Channel