Bizneset, rritet me 15% çmimi i dritave

18/12/2011 08:10

Nëse për konsumatorin familjar, ERE realizoi me sukses mbrojtjen e tyre nga mosrritja e çmimeve të energjisë, për biznesin e kishte të pamundur shmangien e tarifave të larta.

Gazeta “Shqip” zbardh të plotë vendimin e Entit Rregullator, ku vihet re një rritje e çmimit për subjektet private me rreth 15 për qind, sa i takon konsumit në oraret e pikut.

Tarifa e re do të aplikohet për energjinë e konsumuar në oraret 18.00-22.00 dhe i përfshin të gjitha kategoritë e subjekteve, si në tension të mesëm 35 kv, ashtu dhe në të ulëtin, madje edhe vetë shtetin.

“Ndëshkimi” kolektiv ka prekur edhe vetë prodhuesit e bukës, me një rritje prej rreth 13 për qind, kur deri dje nuk paguanin çmim të diferencuar për oraret e pikut.

Vendimi i ERE-s vlen për periudhën 2012-2014 dhe ka marrë në konsideratë situatën kritike të prodhimit në vend. Bordi i komisionerëve e argumenton shtrenjtimin e tarifës për bizneset me kushtet negative hidrike dhe pamundësisë së një prodhimi të qëndrueshëm energjetik.

“Vendimi për rritjen arsyetohet me faktin se në kushtet aktuale në të cilat ndodhet sistemi ynë elektroenergjetik, i cili mbështetet në burimet vendase hidro, si referencë për llogaritjen e tarifës së pikut ka shërbyer çmimi i importit, i cili për vitin 2011 është rritur ndjeshëm”, thotë ERE.

Privati në vështirësi

Kostot e larta të prodhimit shkaktuar nga tregjet e huaja për shkak të krizës ekonomike, nga rishikimi i procedurave për taksat dhe shkallën e tyre, e kanë vendosur biznesin në gjendje kritike.

Sikur të mos mjaftonin këto probleme, tashmë industritë duhet të përballen me kostot e larta nga çmimi i dritave. Edhe pse ERE nuk ndërmori një rritje direkte, por vetën në oraret e pikut, sërish subjektet ankohen se shumë prej tyre punojnë në orë të gjata, sidomos fabrikat, apo furrat e bukës.
 
“Rritja e çmimit të dritave në oraret e pikut do të shkaktojë ndikim negativ te ne, në aktivitetin në tërësi, por do të jemi të kujdesshëm të mos e reflektojmë te buka”, thotë për gazetën “Shqip”, Gëzim Peshkopia, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës.

Megjithatë, ai ndien rrezikun e kostove të larta. “Kostot e karburanteve janë rritur, ndërsa në janar do të vendoset një rregull i ri për paketimin e bukës, që do të jetë me letër, dhe jo qese. Edhe kjo ka kosto. Pra, të gjitha bashkë japin ndikimin e tyre, duke na vënë në vështirësi, por te çmimi i bukës do të jemi të kujdesshëm për të mos e rritur, edhe pse bien fitimet”, thotë Peshkopia.

Të tjerë sektorë ndiejnë kërcënimin, por nuk mund të flasin konkretisht, për shkak se vendimi ende nuk është zbardhur i plotë.

I pyetur nga gazeta, kreu i “BiznnesAlbania” u shpreh i shqetësuar për situatën që po krijohet me tarifat e reja. Për biznesin në vend nuk do të jetë problem shtrenjtimi, por edhe cilësia e energjisë elektrike, si shkëputjet e vazhdueshme apo tensioni i ulët.

Sipas Konfindustrisë, biznesi humbet dhjetëra milionë euro nga kostot shtesë të paparashikuara vetëm nga cilësia e dobët e energjisë.

Top Channel