Borxhi publik në rritje

13/12/2011 00:00

Qeveria nuk ka ndër mend ta ulë borxhin publik, deri në fund të mandatit
në vitin 2013, por përkundrazi pa asnjë debat në publik po i jep vetes
më shumë hapsira për të marrë borxh të ri.

Sipas Ministrise se Financave, në kuadrin e ri fiskal që u ndyshua në fillim të muajit të kaluar, qeveria i ka dhënë vetes të drejtën ta rrisë kufirin e borxhit në vitin 2013 në 59.1 për qind të produktit kombëtar nga 58.6 që e kishte miratuar vetem pak muaj me pare, në korrik te ketij viti.

Kufiri i borxhit po ndryshon në cdo 5 muaj dhe gjithmonë në rritje, cka tregon vështirësinë e qeverisë për të mbajtur nën kontroll financat publike. Pas krizës së vitit 2009, kur borxhi kërceu afër kufirt 60 për qind, qeveria u zotua para publikut dhe FMN se do e ulte atë gradualisht në 54 për qind deri në vitin zgjedhor 2013.
Premtimi u rrëzua për herë të parë në datën 2 shkurt të këtij viti, kur Komiteti i Planifikimt të strategjive, që drejtohet nga kryeministri, miratoi kuadrin e ri, i cili e rriste borxhin për vitin 2013 në 58.1 për qind të Prodhimit Kombëtar. Ky program rezistoi vetëm pak muaj dhe në korrik shifra u rishikua duke u rritur në 58.6 për qind. Ndërsa me vendimin e fundit borxhi sovran, ai që merret në emër të qytetarëve dhe që paguhet nga taksat e tyre, rritet sërish, me 0.5 pikë përqindje të tjera.

Me këtë vendim qeveria në vitin zgjedhor 2013 e lë borxhin publik gati në të njëtën masë si në vitin 2009 edhe pse i ishte kërkuar me forcë nga fondi monetar ulja e menjëhershme e tij. Tashmë programet që jepnin shpresa se qeveria do e ulte borxhin sërish drejt niveleve më të qëndrueshme janë rrëzuar përfundimisht.

Edhe për dy vite të tjera Shqipëria mbetet e prangosur në cakun maskimal të borxhit, e kërcënuar të dalë nga kufiri ligjor. Dhe rreziqet për këtë janë të shumta, që nga tkurrja e rritjes ekonomike, krizat e mundshme të energjisë apo dhe zhvlerësimi i lekut në treg.

Top Channel