Importet, KESH “trondit” buxhetin

12/12/2011 08:20

Pohimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, në emisionin “Top Story” dy javë më parë se, Korporata Energjetike do të ndihmohet financiarisht, edhe nëse shkakton rritje të borxhit, duket se do vihet në zbatim.

Diskutimet e gjata me kryeministrin Sali Berisha kanë bindur shefin e Financave për të korrigjuar buxhetin e shtetit 2012, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi dhe pret dekretimin nga Presidenti Topi. Qeveria është e detyruar të sjellë edhe një herë ligjin e buxhetit për shqyrtim nga deputetët, pasi parashikohen ndryshime të forta.

Gazeta “Shqip” mëson se kryeministri ka firmosur me akt normativ limitin e borxhit publik për shkak të garancisë financiare që duhet t’i lëshojë KESH-it, e nevojshme për importin e energjisë elektrike. Vlera e garancisë është rreth 5 miliardë lekë dhe do t’i shërbejë korporatës si ‘vërtetim’ te bankat private për të marrë kredi për blerjen e energjisë. Shtesa lëkund nivelin e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, i cili me ligj nuk duhet të jetë më i madh se 59.4 për qind, sipas dokumentit të miratuar pak kohë më parë nga deputetët për vitin 2012.

Garancia financiare e çon stokun e borxhit pranë kuotës së 58.65 për qind në raport me PBB-në, shumë afër limitit të lejuar 60 për qind. Kur ende nuk ka nisur zbatimi i buxhetit për vitin tjetër, me këto të dhëna të borxhit, tashmë sërish të korrigjuara me rritje, pakkush mund të besojë se qeveria do t’i qëndrojë strikte këtij kufiri, në një kohë kur të ardhurat në buxhet nuk janë të qëndrueshme.

Akti normativ pritet të kalojë ditët e ardhshme në Kuvend, ku padyshim që debatet nuk do të mungojnë për shkak se opozita e paralajmëroi qeverinë të ishte e kujdesshme me parashikimet e shpenzimeve. Garancia prej 5 miliardë lekësh është vetëm gjysma e asaj çfarë kërkon KESH, por Ministria e Financave u tregua e rezervuar të pranonte firmosjen për të gjithë shumën, pasi praktikisht do ta çonte borxhin publik shumë pranë 60 përqindëshit. Megjithatë, një tjetër skenar që pritet të vihet në zbatim është rishikimi i ligjit sa i takon menaxhimit të borxhit. Gjykohet se garancitë financiare të lëshuara nga qeveria për ndërmarrjet shtetërore apo firmat private në projekte publike të mos përfshihen në stokun e borxhit. Vlera e tyre llogaritet në rreth 50 miliardë lekë, ose sa 4 për qind e PBB-së dhe fshirja nga regjistri i borxheve, do ta ulte stokun në gati 55 për qind.

Për vitin 2012, stoku i borxhit publik parashikohet të arrijë në 825 miliardë lekë, ndërsa sa i takon shërbimit ndaj borxhit, në vlerë nominale arrin në rreth 49.6 miliardë lekë, nga të cilat 28.9 miliardë lekë apo 75 për qind e totalit është për shërbim të borxhit të brendshëm.

Shqipëria është duke importuar aktualisht sasi rekord energjie deri në 17 milionë kilovat orë në ditë, ndërsa për vitin 2012 parashikon të blejë rreth 1.7 miliardë, me vlerë gati 13 miliardë lekë.

Top Channel