Prifti: Me Metën dhëmb për dhëmb

22/11/2011 19:35

Dritan Prifti hodhi poshtë akuzat se ka favorizuar një kompani, pronari i së cilës ishte aksioner me të shoqen e tij në një kompani tjetër. Me vërtetim të QKR-së në dorë, Dritan Prifti tha se bashkëshortja e tij i kishte shitur aksionet në këtë kompani kur ai ishte bërë ministër.

Ndërsa pronari i kompanisë që fitoi tenderin e naftës, në kohën e videopërgjimit, u bë aksioner në këtë kompani kur Dritan Prifti ishte larguar nga funksioni i tij qeveritar.

Kështu, sipas ekstraktit të shoqërisë, bashkëshortja e ministrit dhe personi që fitoi tenderin e naftës, nuk kanë qenë kurrë bashkëpronarë në të njëjtën kohë në këtë kompani. Dritan Prifti e cilësoi këtë një shpifje dhe shpërtheu kundër Ilir Metës:  “Ka nxjerrë disa mashtrues të përmendin gruan time. Në qoftë se unë do të merrem me gruan i Ilir Metës ta keni të qartë të gjithë që s’ka as ekspertë, as gjykatë, as media, as parti që mund ta shpëtojë më atë zotëri. Mos të guxojë më të prekë me shpifje familjen time. Unë po ju them që nuk kam absolutisht asnjë frikë nga Ilir Meta. Unë e njoh Ilir Metën, ai mbështjell kokën me peshqir dhe futet në jorgan kur ka siklete. Nuk është ndonjë lloj trimi Ilir Meta. Le ta provojë me mua. Jam i gatshëm të përballem deklaratë më deklaratë, video për video, grusht për grusht, dhëmbë për dhëmbë. Si ta dojë ai dhe ku ta dojë ai. Ok? Se shumë njerëz mendojnë “është myzeqar ai, s’ka këllqe”. Unë jam edhe myzeqar, se kam babain nga Myzeqeja, por jam edhe vlonjat, se kam mamanë nga Vlora. Në qoftë se do përballje me mua mos ta bëjë me mashtrues si Bekim Halili, të dalë me mua ballë për ballë në një studio televizive dhe t’u themi shqiptarëve të vërtetën”.

Sipas Dritan Priftit, e vërteta është se tenderi i naftës u zhvillua në transparencë të plotë, çka u vërtetua në gjyq edhe nga dëshmia e zv/drejtorit të Albeptrolit. Kurse videoja e përgjuar përmban të vërtetën e korrupsionit të Ilir Metës.

Por, pas rrëzimit të ekspertizës amerikane nga ekspertë shqiptarë, Dritan Prifti tha se të mërkurën do t’ia shpërndajë videon tërë ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian dhe Ambasadës Amerikane.  “Nëse duan, ato mund t’i bëjnë videos ekspertizë pranë policive përkatëse, për të parë se çfarë ndodh në Shqipëri”.

Top Channel