21 janari dhe rënia e shtetit

22/11/2011 00:00

Andrea Stefani – Kryeprokurorja Ina Rama ka denoncuar publikisht mungesën e bashkëpunimit
të qeverisë me organin e hetimit për zbulimin e fajtorëve për masakrën e
21 janarit, ku u vranë 4 demonstrues të opozitës.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Shqip”, kryeprokurorja Rama ka deklaruar se “…21 janari është ende në procesin e hetuesisë dhe në këtë drejtim ne jemi duke punuar intensivisht për ta zbardhur rastin me qeverinë dhe gjithë institucionet përkatëse”. Rama shton se institucione të ndryshme qeveritare duhet të bashkëpunojnë me prokurorinë, për shkak të funksioneve që mbajnë  dhe se “…duhet të vënë shërbimin e tyre në funksion të hetimit dhe zbulimit të autorëve të 21 janarit”. Dhe çfarë ndodh nëse këto segmente të ekzekutivit refuzojnë të bashkëpunojnë? Është vetë kryeprokurorja Rama që përgjigjet se: “…nuk do të dihet rezultati i atij procesi eventual mbi shkaktarët apo autorët e atyre ngjarjeve”! Që do të thotë se edhe për masakrën e 21 janarit, si për shumë tragjedi të tjera të ndodhura në këto 20 vjet, nuk do të ketë ndëshkim të krimit nga drejtësia. Kjo që po ndodh nuk është as më pak dhe as më shumë sesa rënia e shtetit. Sepse shteti krijohet, mbi të gjitha, për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Dhe jeta e qytetarëve nuk mund të mbrohet, nuk mund të mos jetë e kërcënuar, kur nuk ndëshkohen ata që vrasin jetë qytetarësh të pafajshëm. Shteti dështon në misionin e tij të mbrojtjes së jetës kur institucionet e tij, dështojnë të ndëshkojnë krimin, edhe për shkak të presionit që ushtron një qeveri që kërkon të mbrojë krimin, kur një pushtet del kundër misionit jetëmbrojtës të shtetit. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh në Shqipëri.

* * *

Solidariteti i ndërkombëtarëve me prokurorinë nuk ka mjaftuar. Deklaratat e amerikanëve dhe europianëve se shpresojnë apo nxisin një hetim të pavarur të ngjarjeve të 21 janarit nuk kanë pasur asnjë vlerë për qeverinë shqiptare. Deklarata e kryeprokurores Ina Rama dëshmon se qeveria apo segmente të saj, kanë vazhduar të obstruktojnë hetimin duke mos bashkëpunuar me prokurorët. Gjë që është një provë më shumë se qeveria nuk është e interesuar për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Dhe përse mund të mos jetë e interesuar një qeveri për zbardhjen e një krimi, veçse në rastet kur vetë qeveria është fajtore për krimin? E megjithatë, çështja që shtrohet është kjo: si duhet të veprojë shteti kur pushteti nuk është i interesuar për zbardhjen e një krimi? Sepse është fare kollaj të thuash, si Ina Rama, se meqenëse segmente të qeverisë nuk bashkëpunojnë, shkaktarët dhe fajtorët nuk do të mund të gjenden. Por nuk është e para herë në historinë e shteteve që një qeveri pengon një hetim kërcënues për të. Çështja është sesi shteti, institucionet e tij (dhe në këtë rast prokuroria),  ia dalin të kryejnë funksionet e tyre duke mposhtur edhe obstruksionin e një pushteti që nuk është i interesuar për të vërtetën dhe drejtësinë. Prandaj kërkohet që kryeprokurorja të jetë më konkrete në informimin e publikut lidhur me ecurinë e këtij hetimi me rëndësi të madhe publike. Ajo duhet t’i thotë publikut se kush pikërisht, cili segment i qeverisë nuk po bashkëpunon me organin e hetimit. Por nga ana tjetër, kryeprokurorja duhet të zbatojë edhe ligjin dhe Kushtetutën e vendit ndaj kujtdo që pengon hetimin e krimit të 21 janarit. Kështu nëse është policia gjyqësore, organi i qeverisë që nuk po bashkëpunon apo po pengon prokurorinë, kjo e fundit duhet të përdorë të gjithë të drejtat që i njeh ligji dhe Kushtetuta për përmbushjen e misionit të saj publik. Përfshi edhe arrestimin e titullarëve të një policie që në kundërshtim me ligjin, bëhet pengesë për ndëshkimin e krimit më të rëndë që mund t’i ndodhë një shteti demokratik, marrja e jetës së protestuesve me plumba luftarakë sikur të ishim në një diktaturë ushtarake. Apo mos kemi hyrë nën diktaturë dhe nuk po e kuptojmë?

* * *

Që demonstruesit më 21 janar u vranë pa faj u pa, falë medias, nga e gjithë bota. Dhe kur demonstruesit martirë ishin pa faj kjo do të thotë se ata që i vranë janë me faj. Dhe ata janë në anën e qeverisë. Dhe shteti i vërtetë ligjor e demokratik është ai që nuk pengohet dot nga qeveria të nxjerrë fajin e qeverisë në krim. Edhe pse kjo mund të sjellë largimin e qeverisë. Por kur qeveria arrin ta pengojë shtetin të ndëshkojë krimin dhe vetë qeverinë përgjegjëse për të, atëherë nuk kemi më shtet ligjor që drejtohet nga vullneti i ligjit, por një shtet që sundohet nga vullneti i pushtetit. Shteti demokratik ka rënë dhe vendin e tij po e zë shteti i pushtetit të kriminalizuar.  Këtë lloj shteti të pushtetit një hap e ndan nga diktatura. E ndan vetëm mungesa e përkohshme e aparatit të mjaftë të dhunës e të shtypjes apo edhe e një situate ndërkombëtare më të favorshme për instalimin e diktaturës. Dhe një qeveri nuk arrin ta pengojë shtetin kur institucionet e shtetit, si prokuroria në këtë rast, bëjnë detyrën e tyre pa ia vënë veshin presioneve, sharjeve, mallkimeve të kryeministrit dhe qeverisë së tij. Kur institucioni i prokurorisë i shkon deri në fund zbulimit të një krimi, duke i përplasur në fytyrë qeverisë së përkohshme Kushtetutën, që presupozon vullneti i sovranit të përhershëm. Por nëse prokurorët nuk kanë këllqe, nuk kanë devocion dhe dedikimin e nevojshëm për zbatimin e vullnetit publik, edhe në ndeshje me vullnetin antiligjor dhe antikushtetues të një qeverie, atëherë ankesat e tyre për mosbashkëpunimin e pushtetit në zbardhjen e një krimi që kërcënon pushtetin, janë asgjë më shumë sesa një alibi për moskryerjen nga prokurorët të misionit të tyre  për të cilin, janë vendosur në postet që mbajnë dhe që paguhen nga publiku.

Gazeta “Shqip”

Top Channel