Fullani në krye të Bankës së Shqipërisë

16/11/2011 00:00

Komisioni i Ekonomisë miratoi me votat e maxhorancës dekretin e
Presidentit për emerimin e Ardian Fullanit si guvernator të Bankës Qëndrore edhe për një mandat të dytë.

Mazhoranca e kishte deklaruar që më parë mbështetjen ndaj Ardian Fullanit, por ajo që ra në sy ishte sjellja e opozitës. Edhe pse vetë zoti Rama ka mbajtur një qëndrim të qartë kundër kandidaturës së Fullanit, duke e quajtur atë si të nënshtruar politikisht ndaj qeverisë, shumica e deputetëve të opozitës nuk ishin të pranishëm në votim, për të votuar kundër, por ishin larguar më parë, gjatë kohës që po diskutohej projektbuxheti.

Në sallë qëndruan vetëm Mimi Kodheli dhe Erjon Brace, një nga zërat më të fortë kritik ndaj Ardian Fullanit.

“Juve mund të jeni të bindur me zotin Fullani, me vizionin e tij. Ne kërkojmë që zoti Fullani të vijë të paraqesë këtu në Komisionin e Ekonomisë vizionin e tij legjendar për të gjithë treguesit e ekonomisë së këtij vendi, ku ka ndikuar ai me performancën e tij të shkëlqyer profesionale dhe politike”, tha Brace.

Zoti Brace tha se Kuvendi po ndjek një procedurë të paligjshme me zgjedhjen e Guvernatorit.

“Dua të di praktikën e dokumentuar midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës, që të prodhojnë bashkëpunim midis dy institucioneve në rastin e këtij dekreti, sepse për këtë arsye dekrete të tjera të Presidentit të republikës janë hedhur poshtë menjëherë”, tha Brace.

Ardian Fullani u propozua nga Këshilli i Ministrave për anëtar të Këshillit Mbikqyrës në Bankën Qëndrore, dhe gjatë votimit të propozimeve në seancë plenare pati edhe rrjedhje votash nga opozita. 
 
Topi dekretoi Fullanin

Guvernatori Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani është dekretuar për të qenë sërish në krye të Bankës së Shqipërisë edhe për një mandat tjetër.

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka dekretuar zotin Fullani duke ia propozuar Kuvendit për ta zgjedhur guvernator edhe për një mandat 7-vjecar. Emri Fullanit ishte i parë në listën e propozimit që Këshilli i Ministrave propozoi për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës.

Në listën prej 9 emrash të votuar nga Kuvendi si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, presidenti Topi ka gjykuar se Ardian Fullani duhet te jete serish Guvernator i Bankes. Zoti Fullani duke qene se është një propozim që bëhet nga qeveria, votimi në kuvend për të është thjesht nje procedure per shkak se ai tashme e ka te deklaruar voten pro nga mazhoranca.

Kryetari i Partise Socialiste Edi Rama kundershtoi kete kandidature. Ne nje deklarim per mediat Rama shkruan se në “këndvështrimin e Partisë Socialiste nuk është kandidaturë e gabuar, është kandidatura më e gabuar”. Rama eshte i mendimit se mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë. “Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme, ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë. E kështu as Presidenti Topi bashkë me votuesit e mundshëm në Kuvend të kësaj kandidature 100% të gabuar, të mos kenë asnjë arsye të pendohen për këtë zgjedhje nga mënyra si mund të precipitojnë gjërat edhe për shkak të drejtimit e politizuar dhe të papërgjegjshëm të Bankës së Shqipërisë. Partia Socialiste – thote Rama- do të votojë kundër kësaj kandidature.

Top Channel