Durrës, plagoset gjimnazisti

16/11/2011 16:05

Pa kaluar ende një muaj nga vrasja me thikë e një 17-vjecari në gjimnazin e Peshkopisë, një tjetër ngjarje e rëndë me pothuajse të njëjtin skenar, po fatmirësisht pa viktima, ka ndodhur në një nga shkollat e mesme të qytetit të Durrësit.

Një nxënës i vitit të parë ka mbetur i plagosur me thikë nga shoku i klasës në ambientet e brendshme të gjimnazit “Naim Frashëri”.

Pas një sherri me fjalë në orën e edukimit fizik, në palestrën e shkollës, dy shokët e kanë zhvendosur grindjen në klasë ku fillimisht autori me inicialet K.SH. e ka goditur me pëllëmbë të plagosurin dhe më pas përplasja fizike është mbyllur duke e goditur me thikë.

Shërbimet e policisë kanë ndaluar të miturin, ndërsa i dëmtuari është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dhuna në shkolla vazhdon të mbetet një problem megjithë kontrollet e herë pas hershme. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës lidhur me ngjarjen bëri të ditur se në mënyrë të vazhdueshme ajo ka marrë pjesë në kontrollet e zhvilluara nga Drejtoria e Arsimit nëpër shkolla për armët e ftohta që të rinjtë mbajnë me vete gjatë procesit mësimor, ndërkohë që ato duhet të jenë dhe me të shpeshta, si dhe të shoqëruara me masa që do t’i kthenin shkollat në ambjente të sigurta për jetën, shëndetin dhe edukimin e brezit të ri.

Top Channel