Bell: Parashikimet e qeverisë, tepër optimiste

11/11/2011 00:00

Ndërsa në Tiranë vazhdojnë debatet mes pozitës dhe opozitës për buxhetin e vitit të ardhshëm, Fondi Monetar thotë se parashikimet e qeverisë shqiptare janë tepër optimiste.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-drejtuesi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell thotë se në kushtet e paqëndrueshmërisë ekonomike në Evropë, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë edhe më e ulët.

“Fondi Monetar llogarit tani një rrezik të madh për recesion teknik në më shumë se një ekonomi të madhe evropiane. Kjo do të ketë pasoja për Shqipërinë patjetër dhe kjo do të ndodhë pavarësisht nga çfarë ka arritur Shqipëria ekonomikisht. Për t’u dhënë një shembull, në se kthehemi tre muaj pas, ne parashikuam se rritja ekonomike për Shqipërinë do të ishte 2,5 përqind këtë vit dhe 3,5 përqind për 2012. Në bazë të zhvillimeve që po ndodhin tani, ne parashikojmë një rritje prej më pak se 2 përqind në 2011 dhe një deri në 1 presje 5 përqind në 2012. Pra këto janë efekte reale që po përcillen nga ekonomitë kryesore evropiane tek ekonomitë e reja dhe partnerët e tyre tregëtarë”, ka deklaruar Bell.

Zoti Bell shpreh gjithashtu shqetësim për mandatin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

“Banka e Shqipërisë duhet të jetë një institucion i pavarur nga politika dhe politikanët, që t’i lejojë ata të marrin vendime të vështira, ndoshta jo popullore si rritja e interesave apo kërkesa që bankat të kenë më shumë kapital. Ka kaluar më shumë se një javë por guvernatori i Bankës është pa mandat. Kjo nuk është gjë e mirë të kesh një institucion të pavarur që drejtohet nga njerëz që nuk kanë mandat. Nuk dua të komentoj për meritat e personit të zgjedhur, por është e rëndësishme që të zgjidhet një person i kualifikuar me një mandat të qartë. Sigurisht, guvernatori Fullani është një njeri i kualifikuar dhe këtë e ka provuar, por dua të theksoj që të respektohet mandati i guvernatorit dhe bordit që ata të mund të marrin vendime ndoshta politikisht të vështira”, ka nënvizuar Bell.

Paralajmërimin se Shqipëria nuk mund t’i shpëtojë krizës së eurozonës, e vecanërisht asaj që vjen nga Greqia, e bëri disa ditë më parë edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Muajin e kaluar, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani deklaroi pas paralajmërimeve të FMN, se janë marrë masa për të parandaluar efektet e krizës

Top Channel