Buxhet “i varfer” 2012

31/10/2011 00:00

Qeveria është detyruar të tërhiqet përballë krizës dhe të parashikojë
për vitin e ardhshëm një nga buxhetet me rritjen më të vogël historike.

Top Channel ka mësuar se në draftin e përfunduar, që do të shkojë për miratim, fillimisht në Komitetin e Planifikimit Strategjik, është parashikuar që të ardhurat totale të jenë 353 miliardë lekë ose vetëm 10 miliardë lekë më shumë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti.

Rritja është më pak se 3 për qind, gati në të njëtat përmasa me ato të vitit 2009, kur të ardhurat u goditën nga kriza, rënia e cmimeve, por edhe fushata e ndezur e zgjedhjeve. Por qeveria e ka shtrënguar edhe më shumë buxhetin në krahun e shpenzimeve.

Në 2012, buxheti parashikon 394 miliardë lekë shpenzime ose vetëm 1 për qind më shumë se sa këtë vit. Kjo është rritja më e ulët historike në një dekadë, përjashto vitin 2010, kur qeveria u detyrua të shkurtonte shpenzimet e saj, për të stabilizuar financat publike, që kishin filluar të shthureshin.

Edhe pse drafti përfundimtar ende nuk është bërë publik, mbajtja e rritjes së shpenzimeve me vetëm 1 për qind duket një test i fortë për qeverinë, e cila sërish ka premtuar rritje pagash dhe pensionesh. Ndaj gjasat janë që buxheti i vitit të ardhshëm të godasë sërish investimet publike, zëri që goditet sa herë gjendja financiare e qeverisë përkeqësohet

Top Channel