Zjarr pranë depozitave të karburantit

16/10/2011 00:00

Një saldim i kryer fare pranë depozitave të naftës dhe depozitave të gazit mes fshatit Kashar dhe Domje për pak ka shkaktuar një katastrofë, e cila fatmirësisht nuk ndodhi falë ndërhyrjes së menjëhershme të dhjetëra forcave zjarrfiksëse dhe policisë.

Nga shpërthimi i parë në vendngjarje mbetën të plagosur tre persona që sipas policisë janë punonjësit e ruajtjes së këtij biznesi. Vatra e zjarrit sipas policisë ka përfshirë disa magazina ku mbaheshin përveç mallrave të ndryshëm edhe disa fuçi të vogla me karburant.

Për më shumë se një orë forcat zjarrfikëse nga Tirana dhe Durrësi si dhe të policisë së Tiranës luftuan  me flakët gjigante, duke i izoluar ato e duke evituar kështu  një tragjedi e cila  ishte fare pranë në rast se do prekeshin dy depozitat e gazit.

Situata u konsiderua tepër e rrezikshme për dhjetëra banorë që jetojnë në këtë zonë. Ishte kjo arsyeja që përveç zjarrfikëseve në vendnagjarje u sollën me urgjencë edhe mjekë si dhe forcat Renea që u mbajtën në gadishmëri për ndonjë evakuim të mundshëm të zonës.

“Zjarri ishte i rrezikshëm sepse pranë magazinave ndodheshin rezerva të mëdha karburanti. Zjarri rrezikonte të përhapej dhe do të ishte katastrofë njerëzore nëse zjarri do të arrinte magazinat”, shprehet Dilaver Laçi, drejtor i përgjithshëm i zjarrfikëseve.

Tre të plagosurit sipas mjekut Besnik Lamçe kanë lëndime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Pritet që pas ekspertizës në vendin e ngjarjes, Policia e Tiranës të raportojë zyrtarisht shkaqet e këtij zjarri.

Top Channel