Berisha: Dialogu ndërfetar, vlerë e madhe

16/09/2011 18:55

Në Tiranë u zhvillua pasditen e së premtes Asambleja për Paqe dhe Drejtësi, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha promovoi rëndësinë e dialogut dhe mirëkuptimit ndërfetar dhe të lirive e të drejtave të njeriut.

“Dialogu ndërfetar është një vlerë e madhe. Inkurajoj dialogun dhe mirëkuptimin ndërfetar si vlera të paqes. Ndërkohë, liritë dhe të drejtat universale janë para të gjithash hyjnore”, deklaroi kryeministri.

Në këtë drejtim, kryeministri mbështet edhe opsionin e deklarimit të përkatësisë fetare dhe etnike në formularët për regjistrimin e popullsisë.

Për të mbrojtur qëndrimin e tij, Berisha kritikoi ashpër edhe veprimtarinë e Aleancës Kuqezi, që kundërshtoi me cdo mënyrë këtë formë regjistrimi.

“Ky është jo vetëm një atavizëm, por edhe keqpërdorim i postit shtetëror dhe të depolitizuar të nënkryetarit të KDL-së”, deklaroi Berisha të enjten, duke iu referuar Kreshnik Spahiut.

“Basti im ka qenë ky: nëse në fund të procesit të Gjykatës Kushtetuese do të rezultojë që ndryshimi i kombësisë dhe manipulimi ka qenë kushtetues, unë do të dorëzoj detyrën time”, u përgjigj ky i fundit të enjten në emisionin “Top Story”.

Top Channel