Importet e akcizës, më të ulëtat në pesë vite

20/08/2011 09:35

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sasia e mallrave të akcizës të
zhdoganuara në Shqipëri, ishte më e ulëta në pesë vitet e fundit. Lajmi
bëhet i ditur nga statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Për periudhën janar-qershor, sasia e karburanteve të importuara ishte 171 mijë tonë, nga 220 mijë tonë të zhdoganuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010. Që nga viti 2006, importi i naftës në gjysmën e parë të vitit nuk ka qenë kurrë kaq i ulët.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me cigaret. Në gjashtëmujorin e parë në vend, sipas “Shqip”, u sollën 1294 tonë cigare, me rënie 36 për qind në krahasim me një vit më parë, kur qenë importuar 1764 tonë. Arsyeja e importeve të ulëta të cigareve lidhet me akcizën e re, e cila hyri në fuqi më 24 janar të këtij viti. Qeveria e rriti akcizën nga 50 në 70 lekë për paketë, por lajmi për rritjen e akcizës u njoftua që në qershor të vitit 2010, gjë që i bindi tregtarët të vendosin stoqe me akcizën e vjetër. Kjo gjë bëri që ndonëse konsumatorët u përballën me rritje të çmimeve të cigareve me 20 lekë, kjo rritje çmimesh u përfitua nga tregtarët dhe jo nga buxheti i shtetit.

Importet e birrës qenë gjithashtu shumë të ulëta. Doganat regjistruan 13.6 milionë litra birrë të importuar në periudhën janar-qershor të këtij viti, nga 15.2 milionë litra të importuara në të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Top Channel