Homazhe me lule dhe lot

28/01/2011 16:10

Është zhvilluar në heshtje dhe paqe dhe me muzikë funebre në sfond homazhi i opozitës në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, në nderim të tre viktimave të 21 janarit. (UPDATE)

Lule, qirinj dhe lot nga familjarë, miq, të njohur e të panjohur, lider të opozitës dhe qytetarë të thjeshtë, që e kthyen bulevardin në një vend pelegrinazhi për tre viktimat Hekuran Deda nga Dibra me banim në Laknas të Tiranës, Ziver Veizi nga Gjirokastra dhe Faik Myrtaj nga fshati Kreshpan i Fierit.

Ceremonia që zgjati më shumë se dy orë nisi në qendër të kryeqytetit, nga selia e Partisë Socialiste, nga ku demonstruesit nisën marshimin e heshtur në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Një protestë me lule e qirinj ku nuk kishte flamurë, pankarta politike e thirrje politike, por vetëm disa flamuj kombëtarë.

Gjithçka nën kushte të forta sigurie jo vetëm të policisë së shtetit, që kishte marrë të gjitha masat për të garantuar institucionet, në bulevard, selinë e qeverisë, kryesinë e Kuvendit, por edhe të opozitës e cila kishte angazhuar qindra mbështetës së saj të pajisur me shirita të verdhë për të evituar çdo tension të demonstruesve me forcat e rendit apo godinën e Kryeministrisë.

Kortezhi në krye të të cilit qëndronin familjarët e viktimave ka përshkuar ngadalë bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Ai ishte i ndarë në katrorë, të drejtuar nga deputetë të opozitës për të shmangur çdo lloj konfuzioni apo dhe për të patur më mirë nën kontroll turmën e madhe të njerëzve.

Ndërkohë policia kishte marrë masa të forta sigurie duke krijuar kordonë të gjatë.

Familjarët kanë hapur ceremoninë duke vënë të parët lule në vedet ku u vranë të afërmit e tyre dhe bashkë me ta edhe lideri i opozitës, Edi Rama, i vënë nën masa të forta sigurie.

Ndërsa në të gjitha protestat e tjera të opozitës, Edi Rama dallon nga e gjithë turma për shkak të fizikut, në këtë homazh ai ishte thuajse i mbuluar me truproja të së njëjtës gjatësi, që e mbronin në çdo moment, pas kërcënimeve apo informacioneve të ardhura në rrugë të tjera për integritetin e tij fizik.

Homazhet kanë vijuar më pas më shumë se dy orë në qetësi të plotë dhe pa asnjë incident mes demonstruesve dhe policisë.

Në përfundim të homazhit njerëzit janë shpërndarë, ndërsa bulevardit i kanë mbetur qirinjtë e ndezur dhe lulet në vendet ku u vranë tre demonstruesit.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel