Reforma e skemës së pensioneve

16/01/2011 20:15

Në janar të 2013-ës të gjithë ata që derdhin apo përfitojnë kontribute shoqërore do të mund që nëpërmjet një adrese personale të kenë akses në të gjithë informacionin për vitet e tyre të punës, masën e kontributit të derdhur apo dhe përllogaritjet dhe cdo ndryshim që bëhet për ta në cdo vit.

Kjo është arritur në saj të një projekti ndryshimi rrënjësor të mënyrës së punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

“Do të mund të aksesojnë nga një kompjuter personal historinë e indeksionit, përfitimet në rritje apo në natyrë tjetër dhe kompensimet. Sistemi ka bërë një ndryshim të rëndësishëm që do mundësojë transparencë, krijimin e llogarive personale dhe kontrollin e fondeve që administron instituti”, deklaron Evelina Koldashi, drejtore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në një projekt të gjatë kohor Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar softe për sistemin financiar, llogaritjen automatike të përfitimeve dhe krijimin e llogarive personale.

Është krijuar regjistri unik kombëtar i pensioneve, si dhe të gjithë të dhënat që kanë të bëjnë me vjetërsinë në punë të shtetasve shqiptarë.

Regjistër ky që do shkurtojë kohën e përgatitjes së dokumentacionit për daljen në pension, si dhe do evitojë sorollatjen për të gjetur vitet e punës nëpër ndërmarrje që tashmë janë zhdukur.

Madje, të gjithë personat që kanë qenë në marrëdhënie pune para viteve ‘90 do të mund të kenë llogarinë e tyre dhe passëord-in e tyre duke filluar nga muaji qershor i këtij viti.

Top Channel