Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini gjatë fjalimit të tij të mbajtur në Parlamentin e Kosovës ka deklaruar se pavarësia është një proces i pakthyeshëm dhe se shteti i ri ka të ardhme evropiane.

Megjithatë, shefi i diplomacisë italiane ka paralajmëruar klasën politike dhe popullin kosovar se rruga për në BE do të jetë e gjatë dhe do të kërkojë përmbushjen e shumë detyrimeve.

“E ardhmja e Kosovës është në BE. Por Kosova ka një rrugë më të gjatë pasi ka më shumë detyra se vendet e tjera. Megjithatë, ne do ta ndihojmë atë në përmbushjen e këtyre detyrimeve”, ka pohuar Frattini.

Ai ka folur edhe për cështjen e liberalizimit të vizave, duke u shprehur në favor të saj, por gjithmonë duke kërkuar plotësimin e kushteve nga pala kosovare.

Frattini e ka vënë theksin në vecanti tek lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe tek përmirësimi i situatës në veri. Ai ka kërkuar gjithashtu angazhimin e palës kosovare për zgjidhjen e cështjeve teknike me Serbinë.

Top Channel