
Kërkesa e përsëritur e avokatëve për të pasur në dispozicion disa deklarime të vitit 2022 të të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në gjykimin e dosjes “Plumbi i artë” “ndezi gjakrat” edhe në seancën e së enjtes në GJKKO.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se të pandehurit kërkojnë të largohen nga seanca ndërsa avokatët vijojnë debatet me gjykatën dhe me prokurorët e SPAK.
Avokatët kanë debatuar me policinë e bugjeve duke u kërkuar që të mos i prekin të pandehurit dhe t’i lejojnë që të largohen. Të pandehurit u larguan nga salla.
Prokurorët vunë në dispozicion të mbrojtësve vetëm një procesverbal, të cilit i janë hequr disa faqe, ku i penduari flet për çështje që nuk janë objekt i gjykimit. Për procesverbalet e tjerë pretenduan se nuk janë formalë. Pas përplasjeve verbale, kundër avokatëve u shfaq edhe Erion Alibej, i cili pretendoi qëllime të tjera të mbrojtësve.
Alibej: Unë kam bërë një deklarim shumë të gjerë, ku vetëm 25 per qind është këtu. Kush mbron Plarent Dervishajn nga ju, kush mbron Suel Celën, kush i mbron trafikantë të tjerë të drogës? Nëse për shumë emra të tjerë kam folur, nuk ka pse të sillen në këtë proces. Unë kam familjarë që ju rrezikohet edhe jeta, nga emrat që unë kam përmendur në prokurori, pasi janë ende nën hetim ata. Unë për çdo emër që ka dalë nga goja ime unë jam i gatshëm të përballem me të. Unë e di shumë mirë edhe lojën e avokatëve.
I pandehuri Enver Diva: Po familjarët tanë kush i mbron, kalamajt tanë, se edhe ata rrezikohen, se ne na ka akuzuar për vrasje ky.
Pas 3 orësh kaos dhe tension GJKKO ndërpreu dhe shtyu për një datë të re gjykimin e dosjes “Plumbi i artë”, pa mundur në të dytën seancë radhazi të nisë marrjen e dëshmisë së të penduarit Skerdi Tasi.
Seanca u ndërpre pas largimit të avokatit Genti Rumano, mbrojtës i të penduarit Henrik Hoxhaj, i cili deklaroi se hiqte dorë nga mbrojtja e klientit.
Pas braktisjes së sallës nga avokati, ndërkohë që gjithë të pandehurit e braktisën më herët, gjykata gjobiti avokatin Rumano me 100 mijë lekë.
Top Channel