A do të jetë opinioniste në Big Brother VIP Albania? Monika Kryemadhi i jep fund dilemës
Shqipëria mund të përmbyllë procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Ky ishte mesazhi i komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë samitit të zhvilluar në Tiranë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua për ecurinë e vendeve të rajonit drejt integrimit europian dhe përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE-ja.
Kos vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat sipas saj kanë përfituar më shumë fonde nga Plani i Rritjes, si rezultat i përmbushjes së detyrimeve dhe reformave të përcaktuara. Ajo theksoi se rruga drejt Bashkimit Europian do të jetë e hapur për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, por përparimi do të vlerësohet në bazë të meritave dhe rezultateve konkrete.
Komisionerja europiane u ndal edhe te perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi mund të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në vitin 2028. Megjithatë, ajo theksoi se përmbushja e reformave dhe vijimi i progresit mbeten vendimtare për realizimin e këtij objektivi.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në BE, por nënvizoi se procesi nuk varet vetëm nga puna e vendit tonë, pasi vendimi përfundimtar kërkon dakordësinë e të 27 shteteve anëtare.
Në vijim, Kos vlerësoi edhe përparimin e Shqipërisë në fushën e drejtësisë, duke e cilësuar sundimin e ligjit si një nga elementet më të rëndësishme të procesit të integrimit. Ajo theksoi se është bërë një punë e madhe në këtë drejtim, por tashmë sfida kryesore mbetet zbatimi i reformave në praktikë dhe garantimi i rezultateve konkrete.
Në konferencën përmbyllëse të samitit, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria shqiptare nuk kërkon favore apo dhurata nga Bashkimi Europian, por synon të përmbushë të gjitha detyrimet e përcaktuara në procesin e negociatave.
“Ne nuk kërkojmë dhurata, duam maksimumin e detyrave”, deklaroi Rama, duke theksuar se të gjitha kërkesat e BE-së do të përmbushen pikë për pikë. Sipas tij, këto reforma nuk bëhen thjesht sepse i kërkon Bashkimi Europian, por sepse janë të domosdoshme për të ardhmen e vendit.
Kreu i qeverisë nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë me të njëjtin ritëm punën për përmbushjen e kushteve, ndërsa vlerësoi se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit të tij europian.
Samiti në Tiranë u përqendrua te rezultatet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përshpejtimi i reformave dhe perspektiva e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos gjatë konferencës së përbashkët në përfundim të Samitit me liderët e Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes:
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! E dashur Marta, të falënderoj për praninë, për angazhimin, për partneritetin e paepur për Shqipërinë dhe për Ballkanin Perëndimor.
Falënderoj gjithashtu të gjithë të ftuarit nga rajoni dhe miqtë përfaqësues të vendeve anëtarë që morën pjesë në këtë samit të rajonit të radhës të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kanë qenë 48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor nga samiti vjetor i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, tek konferenca e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në edicionin e saj të dytë në Tiranë dhe sot, Samiti i Planit të Ri të Rritjes, i cili për Shqipërinë ecën më së miri dhe siç e konfirmoi edhe Komisionerja, Shqipëria do të marrë nga plani edhe 15% plus shumës së saj në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera.
Katër ishin drejtimet e diskutimit të brendshëm sepse 4 janë drejtimet e kësaj pune të madhe të përbashkët.
Së pari reformat, reformat që forcojnë sundimin e ligjit, qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe digjital.
Së dyti, integrimin hap pas hapi në tregun e vetëm evropian.
11 muaj më parë, Shqipëria hyri në sistemin evropian të transaksioneve të parasë dhe të pagesave dhe në 11 muaj, janë përpunuar 788 mijë transaksione me një vlerë prej 8.7 miliardë euro dhe kursimet deri tani të shqiptarëve, falë hyrjes në këtë sistem, janë 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është për deri në 71 milionë euro në vit, kursime nga xhepi i qytetarëve shqiptarë dhe i bizneseve, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët evropian të pagesave, jashtë të cilit këto 20 milionë euro, do të kishin ikur tani nga xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe do ishin nëpër bankat e Europës.
Nga ana tjetër, regjim i roaming-ut është duke u shtirë edhe për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor, por edhe për qytetarët që vizitojnë vendin tonë dhe vendet tona.
Negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi ynë është që 2027-n, qytetarët tanë të kenë tarifa të reduktuara të roaming-ut.
Ne jemi edhe folës aktivë shumë në telefon, ndërkohë që siç e dini, përpara disa vitesh kur kompania “Vodafone” publikoi konsumatorët më të mëdhenj të mesazheve, ishte përpara daljes së Ëhatsapp-it, ne ishim njëshat, kështu që do të jetë një kursim shumë i madh që gjatë 2027-s, qytetarët do ta ndiejnë në ndërveprimet e tyre telefonike.
Së treti, investimet dhe inovacioni. Konferenca që u mbyll mbrëmë shfaqi të gjithë potencialin e rajonit, por njëkohësisht krijoi premisa për një sërë ndërveprimesh mes bizneseve, ndërkohë që siç u fol edhe në diskutimet e brendshme, Bashkimi Europian përmes Komisionit dhe nën udhëheqjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit të drejtuar nga Komisionerja, është duke eksploruar hapa të tjerë të integrimit në tregun e përbashkët, me detaje mbase do të flasë vetë Komisionerja.
Së katërti dhe e fundit, korridoret. Korridoret e transportit; interkonjeksionet energjetike, rrjetet digjitale, janë investime në aftësinë e ekonomive tona për të tregtuar dhe për t’u rritur së bashku, por natyrisht që diskutimi i sotëm shkoi edhe përtej zbatimit të Planit të Rritjes, në funksion të një modeli të integrimit ekonomik më të thellë në tregun evropian, por duke mos harruar asnjëherë se sa më shumë ta integrojmë vetë Ballkanin Perëndimor, aq më shumë do të ndihmojmë ekonomitë tona, sepse siç e nënvizoi Komisionerja, deficitet e integrimit rajonal janë ende të mëdha dhe rëndojnë në kapacitetin e tregut rajonal për të dhënë më të mirën në aspektin ekonomik dhe solli si shembull turizmin, ku ende ka vështirësi për lëvizjen e lirë të grupeve të turistëve që duan të vizitojnë në të njëjtën kohë, më shumë se sa një vend të rajonit dhe fillojnë historitë me ndalesa, me kërkesa, me viza e ku di unë se çfarë.
Si përfundim, ne kemi një qartësi të plotë mbi 2027.
Komisionerja thotë që – e dëgjuat edhe dje, – 2027 do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin, për ne po ashtu, ne jemi Shqipëria, kështu që nuk diskutohet se s’ka si të jetë viti i dikujt tjetër, por pak po e sigurt është që ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë, duke i plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi, jo sepse na i kërkon “zysha” që kam në krah, por sepse i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë. E nesërmja e fëmijëve tanë, e nesërmja e vendit tonë na imponon që t’i bëjmë pikë për pikë këto detyra sepse çdo detyrë e kryer në funksion të anëtarësimit në BE është një detyrë e kryer në funksion të modernizimit të Shqipërisë.
Është një detyrë e kryer në funksion të përmbylljes së shtetbërjes europiane të Shqipërisë.
Është një detyrë e kryer në funksion të konsolidimit të institucioneve në Shqipëri, se mund të flasim sa të duam për “ky, ai, ajo, ata dhe ato”, por në fund diferencën e bëjnë institucionet dhe mangësitë e institucioneve janë ato që na dallojnë akoma nga vendet, të cilat duam t’u ngjajmë sa më shumë dhe sa më mirë.
Kështu që, ne nuk kërkojmë absolutisht asnjë dhuratë, nuk kërkojmë asnjë by-pass, nuk kërkojmë asnjë mbyllje të syve. Ne kërkojmë vetëm të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato në maksimum.
E dashur Marta,
Edhe një herë, duke qenë se është vizita jote e fundit për këtë vit dhe duke qenë se së shpejti nis një vit i ri, unë të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne, për Shqipërinë, për rajonin gjatë këtij viti së bashku me ekipin tënd fantastik dhe uroj shumë që viti i ri të jetë më i miri i të gjitha viteve për ty, se sa më i mirë të jetë viti i ri për ty, aq më i mirë është dhe për ne, në funksion të objektivit më të rëndësishëm, më madhor, më historik të Shqipërisë dhe shqiptarëve që është anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së: Faleminderit shumë!
I dashur kryeministër!
I dashur Edi, faleminderit edhe një herë që na pritët sërish për Planin e Rritjes, pra për Samitin këtu në Tiranë dhe është gjë e mirë që ne të bëjmë një bilanc të zbatimit të këtij plani për Ballkanin Perëndimor. Një rajon i cili është i rëndësishëm për Bashkimin Europian dhe është në interesin tonë që ta integrojmë këtë rajon në Bashkimin Europian.
Ne bëmë një bilanc të zbatimit të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe ajo që shohim është që zgjerimi është në lëvizje, por gjithashtu shohim që bashkë me të në lëvizje është dhe Ballkani Perëndimor. Ajo që ne shohim është që ideja e një rajoni të përbashkët të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit po zbehet, disa në një mënyrë të natyrshme. Mali i Zi dhe kjo do ndryshojë dhe dinamikat në Ballkanin Perëndimor, pra Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave, sivjet shpresojmë.
Shqipëria mund të arrijë të njëjtën gjë vitin tjetër dhe ajo që shohim është që vendet që i përmbushin angazhimet për reforma ecin përpara, kurse ata që nuk e bëjnë këtë gjë nuk mund të ecin përpara. Dhe shikojmë të njëjtën gjë dhe me zbatimin e Planit të Rritjes.
Komisioni Europian po përfundon vlerësimin e vet.
Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave dhe së shpejti do të përfitojë 81 milionë euro në kuadër të këstit të ardhshëm të pagesave.
Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro.
Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do përfitojë 70.9 milionë euro. Siç e thatë edhe ju zoti kryeministër, ne do të rrisim financimin në kuadër të Planit të Rritjes për këto tre vende që kanë ofruar më shumë rezultate.
Mali i Zi dhe Shqipëria atëherë do të përfitojnë 15 % më shumë ndërsa Maqedonia e Veriut 10 % më shumë. Do të fillojmë procedurën së Shqipëri dhe këto janë pagesat e tjera shtesë që ju do të merrni vitin që vjen.
Nuk duhet të harrojmë që Plani i Rritjes u hartua që në fillim për të shpërblyer rezultatet konkrete.
Pra, vendet që përmbushin angazhimet e tyre për reforma përfitojnë financim.
Udhëheqësit europianë po diskutojnë në Bruksel të ardhmen e buxhetit të Bashkimit Europian dhe shuma e financimit që do vihet në dispozicion të vendeve kandidatë për anëtarësim në BE është pjesë e këtyre diskutimeve. Por pavarësisht nga rezultati, një parim do të mbetet i pandryshuar, financimi i BE-së do të kushtëzohet nga rezultatet në zbatimin e reformave dhe kjo në fakt pasqyron një zhvillim më të gjerë në marrëdhëniet tona me rajonin sepse ne jemi të vendosur të shtypim padalën e gazit, por performanca individuale do të jetë gjithnjë e më shumë parimi udhëheqjes.
Logjika rajonale, siç e thashë, po zbehet. Më shumë se kurrë zgjedhjet politike të secilit vend do të përcaktojnë ritmin me të cilin ai vend do të ecë drejt BE-së dhe ka një mbështetje të fortë nga shtetet anëtare për këtë qasje, të cilën ne e quajmë të bazuar tek merita.
Kjo vlen si për negociatat e anëtarësimit, ashtu edhe për qasjen apo aksesin në financimin e BE-së dhe në integrimin gradual në Bashkimin Europian. Pra, unë këtu shoh një mundësi, jo vetëm për ato tre vende që i përmenda, por edhe për shtete të tjera.
Në Serbi, ne shohim tashmë një fillim të ri.
Në Kosovë kemi stabilitet politik dhe ka gjithashtu edhe një mundësi për Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë Hercegovinën, në këtë vend, në vendin e fundit, Bosnjë Hercegovina pas zgjedhjeve.
Këtë e diskutuam sot në takimin tonë.
Unë në fakt fola dhe për qasjen e re të Komisionit Europian për ta zgjeruar integrimin gradual që mund ta afrojë çdo vend kandidat drejt BE-së edhe përpara vet anëtarësimit por që nuk është zëvendësim i anëtarësimit.
Ne duam të hapim më shumë pjesë të tregut të përbashkët të BE, përfshirë dhe sektorët e energjisë dhe të transportit, si dhe të zgjerojmë bashkëpunimin ne fushën e teknologjive digjitale.
Dëshiroj gjithashtu që të hapim institucionet tona për vendet tuaja që janë më të shpejta.
Do të shqyrtojmë me secilin vend kandidat në mënyrë individuale se ku mundësohet integrimi i mëtejshëm.
Do të diskutojmë dhe ide të tjera me vende kandidate, por edhe idetë që vijnë nga Bashkimi Euopian për mënyrën sesi ky integrim i zgjeruar ose më i mëtejshëm integrim gradual mund të sjellë dhe më shumë siguri, jo vetëm për sigurinë në vetvete, por edhe sigurinë ekonomike dhe ky do të jetë me pak fjalë i njëjti parim. Pra, përparim konkret në negociatat e anëtarësimit është bileta, është kushti i domosdoshëm për të përfituar nga këto mundësi.
Ne diskutuam gjithashtu mundësitë ekonomike që krijohen nga lidhje të reja të transportit që po ndërtojmë në gjithë kontinentin tonë. Dhe fola më herët për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në atë kuptimin më të gjerë të ndërlidhjes, pra në lidhjet e transportit që lidhin Bashkimin Europian me Azinë Qendrore.
Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e këtyre rrugëve të reja tregtare që lidhin BE me Turqinë dhe më tej në lindje me Azinë Qendrore. Në kushte kur shumë prej rrugëve tregtare globale po përballen me presione, ajo që ne presim është që vëllimi i tregtisë në këto rrugë alternative të rritet. Kjo mund ta bëjë Ballkanin Perëndimor gjithnjë e më tërheqës për investuesit e huaj.
Për ta përmbyllur, ne na duhet bashkëpunimi i mëtejshëm i tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, pra jo vetëm për këtë treg prej miliona banorësh, por edhe që ky të tërheqë sa më shumë investues. Dhe shpresojmë që ndryshimet në Serbi apo disa nga ato çështjet, të cilat janë të hapura dhe me zgjedhjet në Bosnjë Hercegovinë, ne do kemi mundësinë që të kalomë pastaj për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe lidhje më të mira që i përmendëm. Për shembull ju përmendet turizmin, pra në shumë fusha ku vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bashkëpunojnë akoma e më shumë për të mirën e rajonit, por edhe për të mirën e gjithë Bashkimit Europian.
Në mbyllje, pra ne e shohim sot rajonin në një udhëkryq dhe koncepti i faktit që bëjnë bashkë Ballkanin Perëndimor si një grup prej gjashtë vendesh, po i vjen fundit të vet të natyrshëm. Dhe zgjedhjet politike që do të bëjë secili vend dhe udhëheqësit e tyre do të përcaktojë se çfarë do të ndodhë më tej. Dhe buxheti ynë 2028-2034 për të cilin ne po diskutojmë siç e thashë, do të ketë instrumentet të unifikuara, nuk do ketë IPA, nuk do ketë Plan Rritje, do të kemi instrumente financiare, të cilat ne do t’i përdorim për secilin prej vendeve tuaja.
Prandaj, do të flasim më shumë për gjëra që mund të bëjmë me secilin prej vendeve tuaja.
Sigurisht që, ndërlidhja në rajon dhe integrimi rajonal është i rëndësishëm, por është e rëndësishme që të flasim me secilin prej vendeve tuaja sipas mekanizmave të ecurisë tuaj.
Ne do të kemi edhe kushte të caktuara për paratë që do të marrin vendet tuaja nga Bashkimi Europian dhe thirrja ime për ju sot është, le ta shfrytëzojmë këtë moment, ta përfundojmë këtë proces dhe t’ju sjellim të gjithëve në Bashkimin Europian tani. Faleminderit.
Pyetje: Zonja Kos, gjeografikisht jemi në zemër të Europës dhe prej më shumë se tre dekadash shqiptarët e presin ditën kur Shqipëria do të bëhet anëtare zyrtare e Bashkimit Europian. Shumë prej atyre që e ëndërruan këtë ditë në vitet ’90 tashmë kanë fëmijët e tyre që kanë të njëjtën pyetje: edhe sa do duhet të presin? Sot a ka një datë — 2028, 2029 apo 2030 — viti kur mund të realizohet kjo ëndërr për shqiptarët?
Dhe pyetja për kryeministrin Rama: Zoti Rama, shqiptarët kanë pritur mbi 30 vjet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, nga të cilat nga këto 30 vite, 13 vite e keni drejtuar ju qeverinë shqiptare. Pse është zgjatur kaq shumë dhe pse nuk jemi anëtarësuar ende?”
Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së: Siç mund ta vini re, zgjerimi po ndodh realisht. Nëse i marrim të gjitha së bashku, ky vit ka qenë viti më i suksesshëm për procesin e zgjerimit gjatë 25 viteve të fundit. Zgjerimi i fundit ka ndodhur në vitin 2013, me anëtarësimin e Kroacisë, ndërsa tani shpresojmë të përmbyllim negociatat me Malin e Zi. Një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është gjithashtu Shqipëria.
Për sa i përket udhërrëfyesve që ne kemi ofruar dhe në raportin e sivjetshëm, ne kemi thënë, jemi shprehur pra që Shqipëria mund t’i përmbyllë të gjithë kapitujt për negociata në qoftë se do të ketë rezultate të reformave dhe sigurisht dhe në rast se shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë dhe në qoftë se ndodhin këto gjëra, rreth kësaj kohe ne mund të jemi shumë pranë fundit të negociatave. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që hapi i mëtejshëm do të jetë që rreth gjysma e kapitujve të mbyllur, do të thotë që shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, i cili, po flas që në qoftë se gjithçka ecën siç duhet, mund të nënshkruhet në 2028-n, që do të thotë, varet nga procesi i ratifikimit, vizioni i qeverisë tuaj edhe i qytetarëve në rast se e kam kuptuar siç duhet. Pra, Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është si një arsim me një datë të përcaktuar ku ti shkon në shkollë, mbaron gjimnazin, pastaj hyn në universitet, mbaron universitetin dhe merr diplomën. Gjithmonë në rast se i bën si duhet detyrat.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk ka një datë, asnjëherë dhe s’ka pasur ndonjëherë për askënd, sepse nga një anë je ti, nga ana tjetër janë 27 të tjerë, të cilët duhet të bien të gjithë dakord në çdo fazë të procesit, pavarësisht se ti i ke bërë apo nuk i ke bërë detyrat. Për shembull, në këto vite të drejtimit tim, ka pasur një Komision Europian, i cili e ka nisur jetën e vet me deklaratën “këto pesë vjet, ne nuk do marrim asnjë në konsideratë për të zgjeruar Bashkimin Europian”, ose Shqipëria ka pasur ato që unë i quaj tre vitet e poshtërimit, kur Komisioni Europian certifikonte detyrat tona të bëra dhe një shtet thoshte jo.
Kështu që ky është një proces, i cili për sa na takon duhet të shihet si një mundësi unikale e artë, bekim për ne dhe për çdo vend që ka perspektivën europiane për të nxjerrë më të mirën e vetes dhe për të ndërtuar shtetin që kanë nevojë qytetarët dhe që ne nuk e ndërtuam dot për 500 vjet.
Sot po e bëjmë, po e bëjmë falë këtij procesi. Natyrisht që, anëtarësimi vjen me shumë të mira të tjera dhe prandaj ne duam të anëtarësohemi, por në ndërkohë, ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër, përveçse të vazhdojmë të punojmë që të përmirësojmë falë kryerjes së detyrave, gjithçka që lidhet me shtetin në këtë vend.
Mos harroni që një nga fqinjët tanë, Maqedonia e Veriut, ka 20 vjet që është kandidat, shumë vite përpara nesh dhe ja ku është mbrapa nesh sot.
Mos harroni që kur ne e nisëm këtë rrugë me qeverinë tonë të parë ishim të fundit dhe na thuhej që në pararojë janë Serbia dhe Mali i Zi. Sot Mali i Zi është shumë afër, Serbia është shumë mbrapa nesh.
Pra, ky është një proces dinamik dhe të kërkosh një datë do të thotë të mos kuptosh se si funksionon procesi. Datat mund të vendosen si objektiva, por janë “moving targets”. Mund të lëvizin sepse, e përsëris, janë 27 që duhet të bien dakord në çdo hap, në çdo hap, në çdo hap, në çdo hap.
Kështu që nëse ne kemi bërë diçka unikale që s’e ka bërë askush më parë, që të hapim të gjithë kapitujt në një kohë që është rekord në historinë e integrimeve të Bashkimit Europian, kjo ka ardhur si rezultat që ne e kemi bërë detyrën, por edhe të 27 kanë qenë gati që të thonë po, detyra është bërë.
Kështu që, ne jemi krah për krah me Komisionin. Ne Komisionin kemi për të kuptuar ku jemi mirë, ku jemi më pak mirë, ku kemi bërë më shumë progres, ku kemi bërë më pak progres dhe Komisionin kemi ne për të bindur dhe pastaj vjen faza tjetër. Por për herë të parë në historinë e këtyre viteve ka një togfjalësh që u shfaq në raportin e progresit të këtij viti: ‘Fillimi i përgatitjes së traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian vitin e ardhshëm’. Kështu që jemi më afër se asnjëherë, por çdo ditë ne duhet të punojmë sikur jemi më larg se asnjëherë.
Pyetje: Zonja Komisionere, ju deklaruat ditën e djeshme në dy aktivitetet që morët pjesë se viti 2027 mund të jetë viti për Shqipërinë, por theksuat se udhërrëfyesi nuk është garanci. Cilat janë pengesat që mund të vënë në rrezik përmbylljen e këtij objektivi dhe çfarë janë reformat prioritare që do duhet të ndjekë Shqipëria?
Ndërkohë për kryeministrin, Zoti Rama, ju keni qenë ndër të parët që keni mbështetur integrimin gradual, por a mund ta kompensojë ky pritjen e gjatë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe a i druheni që ky proces mund të ngadalësohet sërish, qoftë për sa i përket faktorëve të brendshëm që mund të jenë përplasje politike, apo dhe faktorëve të jashtëm duke marrë në konsideratë që vitin e ardhshëm një sërë vendesh europiane do të shkojnë në zgjedhje? Faleminderit.
Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së: Nëse Shqipëria do të përmbyllë të gjithë kapitujt negociues, duhet të tregojnë rezultate për ato reforma, të cilat janë të domosdoshme për secilin kapitull. Që do të thotë që ju keni bërë shumë për sundimin e ligjit, përndryshe nuk do të ishte bërë raporti i piketave të ndërmjetme, por për të gjithë kapitujt e tjerë për t’u mbyllur ato, ne shpresojmë, ato pesë të tjera shpresojmë që do të mbyllen pra deri në fund të këtij vitit, që do të thotë që 1/4 e kapitujve do të jetë mbyllur provizorisht, që do të thotë për secilin kapitull ka kushte të cilat duhet të përmbushen për reformat përkatëse.
Ndërsa sa i përket reformave, sundimi i ligjit, reforma në drejtësi janë në thelb të asaj që Shqipëria ka bërë për anëtarësimin në BE. Legjislacioni mjedisor është shumë i rëndësishëm gjithashtu dhe mendoj që Shqipëria është një nga vendet të cilat ka bërë reformën e drejtësisë në një shkallë shumë të madhe. Ajo që na duhet është të ketë një sistem gjyqësor të fortë, efektiv, të pavarur, që do të thotë që reformat të lejojnë të vihen në zbatim siç duhet në të gjitha fushat e sektorët.
Dhe sigurisht ajo që dëshirojmë të shohim gjithashtu dhe ju pyetët për shembull për këtë, sa më gjithëpërfshirës të jetë procesi, aq më mirë është për qytetarët që ata të kuptojnë se çfarë po sjellin këto reforma për ta dhe këto ligje të reja çfarë të mira u sjellin atyre. Prandaj dje unë isha pjesë e takimit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian dhe ishte shumë interesante që diskutuam me organizatat e shoqërisë civile se çfarë duhet bërë dhe ramë gjithashtu dakord që ne do të takohemi më shpesh. U thashë në fakt që nuk do të mund të mos më takojnë në vitin e ardhshëm sepse unë do të vij gjithnjë e më shpesh, dhe e them këtë në bazë të përvojave që kemi parë për shembull me Malin e Zi sivjet që do të thotë që ky mund të jetë viti vendimtar për Shqipërinë.
Zoti kryeministër tha që ky do të jetë në fakt viti vendimtar për Shqipërinë, që do të thotë që me të gjithë mbështetjen që ka prej nesh Shqipëria, është edhe pika e fundit për të arritur në fundin e negociatave.
Ne kemi mësuar shumë gjatë procesit të anëtarësimit të Malit të Zi.
E kam fjalën këtu për ato gjëra që janë të rëndësishme, çfarë lloj dinamikash duhen dhe çfarë gjithë përfshirjeje duhet, jo vetëm këtu, por për sa i përket opozitës e shoqërisë civile, por edhe shteteve anëtare. Zgjerimi nuk mund të ndodhë pa shtetet anëtare. Prandaj puna jonë vitin e ardhshëm nga ana e Komisionit Europian, po besoj që kjo vlen edhe për qeverinë shqiptare, do të jetë që ne do të jemi më të pranishëm tek shtetet anëtare duke u shpjeguar atyre ecurinë e Shqipërisë, përparimin e saj, se si po ecën ajo përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe cilat janë të mirat, pra përfitimet që ka BE-ja nga anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
Kryeministri Edi Rama: Pyetja ishte, a i druhem unë atyre që s’i kam në dorë? Si mund të jetohet duke pasur druajtje se çfarë do ndodhë nga gjërat që s’i kontrollon ti? Nuk jetohet dot. Për më tepër që rasti, fati e ka sjellë që unë të kem të bëj në këtë detyrë me gjëra shumë të rënda që s’i kam pasur dhe s’i ka askush në dorë. Bie tërmeti edhe duhet të rikonceptosh gjithçka që ke planifikuar, sepse duhet fokusuar energjia e gjithë shtetit tek ata që goditen nga tërmeti. Vjen pandemia, duhet të rimendosh gjithçka që ke planifikuar, sepse duhet të përballesh me diçka që s’e parashikoje dot. Plas një luftë larg nga këtu, vjen rritja e çmimit të energjisë, edhe këtu duhet të rikonceptosh çfarë ke planifikuar.
Kjo është jeta dhe një kryeministri të famshëm të Britanisë së Madhe kur e pyetën nga çfarë ke frikë, tha: “Nga ngjarjet, se vetëm ngjarjet nuk i planifikojmë dot”, por duke qenë se unë u bëra më gjatë se ai në detyrë, nuk mendoj fare për çfarë nuk kam në dorë dhe çfarë nuk kemi në dorë. Ajo që ne kemi në dorë është të bëjmë detyrën tonë.
Kështu që unë vazhdoj me slloganin e Loro Boriçit, trajnerit legjendar të ekipit kombëtar të Shqipërisë, që kur vajti në Kinë t’u mësonte futboll kinezëve, se kinezëve ia kemi mësuar ne futbollin. Filloi shiu, kinezët ikën me vrap nga fusha se s’e dinin që futboll luhet edhe në shi. Ai tha: ‘Ku po shkoni?’ – ‘Shi.” – tha: “Shiu ka punën e vetë, ne kemi punën tonë.”
Kështu që puna jonë është ajo që do na nxjerrë në dritë, thoshin rilindasit, dhe vetëm punën tonë kemi ne. Ne do bëjmë detyrat një për një siç i kemi bërë deri tani, do vazhdojmë t’i bëjmë edhe më mirë dhe pastaj shi apo diell këtë ne nuk e kemi në dorë, por është pak por e sigurt që sot dera e Bashkimit Europian është e hapur dhe që sot si asnjëherë më parë, përveçse çfarë mund të bëjmë vetë, edhe kushtet janë që ne ta kapërcejmë pragun, por ne duhet të nxitojmë të bëjmë detyrën tonë sepse ajo derë mund të mbyllet jo për arsyen tonë, por për arsye të tjera.
Kështu që 2030, jua kam thënë kur as Marta nuk e thoshte, është viti që ne të gjithë duhet të kemi në mendje përpara çdo gjëje tjetër sa herë merremi me politikë dhe me çështje të përbashkëta. 2030 në BE, të tjerat të gjitha vijnë mbas kësaj. Ka ndonjë pyetje tjetër?
Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së: Kryeministër, thjesht dëshiroj të shtoj: udhërrëfyesit që ne kemi përgatitur janë një shenjë shumë e qartë e besimit tonë për Shqipërinë që Shqipëria mund t’i arrijë rezultatet, por është edhe përgjegjësia jonë që të bëjmë punën tonë sepse të dyja palët duhet të bëjnë punën e tyre. Sepse që ditën që Shqipëria e mori statusin e vendit kandidat është edhe përgjegjësia jonë dhe tani edhe mënyra se si ne japim llogari, që ta ndihmojmë Shqipërinë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian.
Situata gjeopolitike është e tensionuar në të gjithë botën, por kjo situatë gjeopolitike e ka shtyrë më tej përpara procesin e zgjerimit. Prandaj, ne mund të ecim përpara edhe pse mund të jetë edhe më e vështirë se ç’ka qenë në të shkuarën. Edhe në qoftë se ka më shumë legjislacion të BE-së më përpara, pra legjislacion me të cilin ju duhet të keni përputhshmëri, puna është që këto gjëra po ecin në formë paralele: vendet kandidate, Komisioni Europian dhe shtetet anëtare si brinjët e një trekëndëshi. Dhe jo se ne duhet të punojmë për vendet kandidate, por ne duam të punojmë për të ndihmuar vendet kandidate që t’ua bëjmë të mundur atë proces shndërrimi, transformimi në shoqërinë e tyre dhe në ekonomitë e tyre.
Rruga përpara nuk është e lehtë. Do të ketë ato luhatjet e veta për çdo vend kandidat, por për aq kohë sa ne diskutojmë edhe vështirësitë, për aq kohë sa ne diskutojmë edhe çështjet që lindin për shembull dhe që dalin nga protestuesit, nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, me të cilët u takova më herët sot, dialogu është ai që duhet të ekzistojë.
Prandaj ju së shpejti do të keni 28 Nëntorin: Gëzuar Pavarësinë të gjithë shqiptarëve!
Dhe kur flasim për ditët përkatëse të vendeve tona ose për ditët që janë të rëndësishme në kalendarin e vendeve tona, le të mos harrojmë atë që ka bërë Shqipëria gjatë kësaj rruge, që nga një vend aq i izoluar komunist në atë vend ku qëndron sot.
Historia e Shqipërisë është gjithashtu edhe historia e anëtarësimit. Dua të them se sa shumë energji mund të prodhohet kur qytetarët e një vendi besojnë tek e ardhmja e tyre europiane dhe qeveria ndjek dëshirën e qytetarëve. Orientimi pro-europian i qytetarëve shqiptarë është më i larti në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe ajo që ju keni arritur në të shkuarën është sinqerisht shumë. Ju jeni anëtar i NATO-s. Ju jeni tashmë rrugës për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian.
Ju keni gjetur vend në komunitetin ndërkombëtar nga e shkuara kur ishit tërësisht të izoluar dhe tashmë ju keni gjetur një vend edhe në hartën botërore për turizmin, për ata turistë që po vijnë gjithnjë e më shumë në Shqipëri. Ju uroj më të mirat e mundshme dhe ta gëzoni Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë!
Kryeministri Edi Rama: Gëzuar edhe nga ana ime. Gëzuar të gjithëve!
Top Channel