“Tirana qendër e dialogut mes investitorëve evropianë”/ Ministrja Ibrahimaj: Ballkani Perëndimor një front i ri investimesh për Evropën

25/11/2026 10:46

Tirana mirëpret sot Konferencën e Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, “New Frontier Investment Conference”, një aktivitet i rëndësishëm ekonomik që bëri bashkë mbi 600 investitorë, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve financiare dhe vendimmarrës nga Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Konferenca sjell në Tiranë përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane, mes tyre Kerstin Jorna, Drejtore e Përgjithshme e DG GROW pranë Komisionit Evropian, si dhe përfaqësues të biznesit, fondeve të investimit dhe ekspertë të ekonomisë.

Në fjalën hapëse të konferencës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi potencialin e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë aktive e transformimit industrial dhe ekonomik të Evropës, duke theksuar nevojën për të kaluar nga dialogu te investimet konkrete.

“Këtë vit, synimi ynë është të kalojmë nga dialogu te vendimmarrja për investime, nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi konkret i kapitalit”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, ministrja theksoi se vendi po krijon një bazë solide për të tërhequr investime me vlerë të shtuar, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese, transferimin e teknologjisë dhe krijimin e vendeve të punës me aftësi të specializuara.

Në këtë drejtim, Ministrja nënvizoi se gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3,6%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Ne duam që investimet e huaja të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonomi, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara”, theksoi Ibrahimaj.

Një nga propozimet kryesore të prezantuara nga ministrja në këtë konferencë ishte shqyrtimi, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, i mundësisë për zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nisma synon të krijojë sinergji mes burimeve natyrore, energjisë së pastër, kapaciteteve kërkimore dhe atyre prodhuese të rajonit, duke i lidhur me nevojat strategjike të industrisë evropiane. Si një fushë me potencial të veçantë u evidentuan lëndët e para kritike dhe përpunimi i tyre i qëndrueshëm.

“Ambicia jonë është të kapërcejmë rolin tradicional të furnizuesit me lëndë të para dhe të zhvillojmë aktivitete industriale me vlerë të shtuar më të lartë, duke përfshirë përpunimin, prodhimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe riciklimin”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj propozoi nisjen e një vlerësimi të përbashkët teknik me Komisionin Evropian, shtetet anëtare të interesuara, kompanitë evropiane dhe partnerët rajonalë, për të identifikuar projekte konkrete investimi ndërkufitare, me qëndrueshmëri tregtare.

Në fokus të fjalës së ministres ishte edhe nevoja për diversifikimin e burimeve të financimit, përtej kreditimit tradicional bankar, përmes zhvillimit të kapitalit sipërmarrës, kapitalit privat dhe instrumenteve alternative që mbështesin kompanitë inovative dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave evropianë për mbështetjen e startup-eve në teknologjitë e avancuara, ndarjen e riskut dhe financimin e infrastrukturës digjitale dhe energjetike.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, sipas ministres, është rritja e rolit të shërbimeve me vlerë të shtuar, si inxhinieria, zhvillimi i programeve kompjuterike, shërbimet shëndetësore dhe logjistika, të cilat krijojnë mundësi për zgjerimin e eksporteve dhe përfshirjen e bizneseve shqiptare në zinxhirët evropianë të vlerës.

Në këtë kontekst, ajo nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të aftësive profesionale dhe digjitale në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e industrisë.

Duke vënë theksin te dimensioni rajonal i investimeve, ministrja u ndal te Plani i Rritjes i BE-së dhe Tregu i Përbashkët Rajonal, si instrumente që ndihmojnë në reduktimin e fragmentimit ekonomik, lehtësimin e aktivitetit ndërkufitar dhe krijimin e një tregu më të integruar për bizneset e rajonit.

“Të marra veçmas, ekonomitë tona janë relativisht të vogla. Por, si një rajon i ndërlidhur, Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi krejt tjetër për investitorët”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj ftoi investitorët të njohin më nga afër potencialin e kompanive shqiptare dhe perspektivën afatgjatë të rajonit, duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për të qenë një partnere e besueshme në këtë proces.

“Kjo konferencë është një mundësi për të dëshmuar se çfarë mund t’i ofrojë rajoni ynë Evropës që sot”, përfundoi ministrja.

Konferenca dyditore synon të shërbejë si platformë për identifikimin e mundësive të reja të investimit, forcimin e partneriteteve ekonomike dhe përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në ekonominë evropiane. Programi përfshin prezantime të startup-eve, diskutime me investitorë, takime biznesi B2B dhe prezantimin e instrumenteve të reja të financimit dhe mbështetjes nga institucionet evropiane dhe financiare ndërkombëtare.

Top Channel