“Ata që duan të duartrokasin, tremben nga ata që gjuajnë me gurë”, Rama në Manastir me të studentë e rektorë

22/11/2026 20:55

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Manastir, në Europe House, pati edhe një takim me të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe me rektorë e përfaqësues të universiteteve.

Në fokus ishte arsimi, identitetin jonë kulturor, bashkëpunimin mes të rinjve dhe të ardhmen e përbashkët europiane, në ditën e Alfabetit Shqip.

“Për gjuhën që na bashkon si lënda bazë e identitetit tonë janë bërë sakrifica të jashtëzakonshme, janë sakrifikuar jetë dhe janë përfshirë një numër i madh njerëzish që për ta gjuha shqipe ka qenë një mision jete.

Nuk duhet të harrojmë se çfarë është shqipja. Është një kopsht i madh ku duhet kultivuar dhe pasuruar, një kopsht që ka xhevahir. Duhet të angazhohemi për të bërë një bibliotekë digjitale, që nga leximi i shqipes deri te leximi i veprave. Një bibliotekë ku të jetë e kyçur pasuria e shqipes. Qeveria e Shqipërisë do ta marrë këtë hap. Teknologjia na jep një ndihmë të madhe”, tha Rama para të rinjve.

Në mbyllje të fjalimit të tij, ai u shoqërua me duartrokitje, e në këtë moment, kreu i qeverisë dha dhe një koment që në kohën aktuale, lidhet me protestat në Shqipëri.

“Sot është një kohë pak e veçantë sepse ata që duan të trokasin tremben nga ata që gjuajnë me gurë, ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk të flasin, e për shkak të një kohe që është kalimtare sigurisht, duartrokitjet janë më të mirëpritura se zakonisht”, tha Rama.

Top Channel