Kryeministri Edi Rama ka vendosur të ndryshojë drejtimin politik të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, duke larguar nga kjo detyrë Erion Veliajn, Taulant Ballën dhe Ogerta Manastirliun.

Sipas burimeve për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, drejtimi politik i qarkut të Tiranës do t’u besohet tashmë Albana Koçiut dhe Ervin Demos, të cilët do të bashkëdrejtojnë strukturat socialiste në kryeqytet.

Vendimi është bërë i ditur gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, që po zhvillohet në Gjirin e Lalëzit, ku kryeministri Rama ka prezantuar ndryshimet në drejtimin politik të qarqeve.

Lëvizja vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt janë në një pikë të tensionuar. Ky i fundit, i cili ndodhet në burgun e Fierit, u dërgoi sot anëtarëve të Asamblesë një letër të gjatë, ku kërkoi edhe aktivizimin e procedurës së mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së.

Ndërkohë, Rama ka paralajmëruar edhe një riorganizim më të gjerë të strukturave drejtuese të partisë, me dyfishimin e numrit të drejtuesve politikë në qarqe, nga 12 në 24.

Top Channel