Kostot e luftës në Iran, Von der Leyen: Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, 127 miliardë euro dëm për BE
Sistemet e ftohjes në supermarketet e Suedisë, Belgjikës, Luksemburgut dhe Irlandës janë prekur nga incidente të dyshuara dhe të konfirmuara kibernetike, duke shkaktuar prishjen dhe asgjësimin e sasive të mëdha të produkteve ushqimore.
Në disa raste, temperaturat në frigoriferë dhe ngrirës janë rritur ndjeshëm, duke cenuar sigurinë ushqimore.
Një valë incidentesh që kanë prekur sistemet e ftohjes në supermarketet evropiane ka ngritur shqetësime për sigurinë kibernetike të infrastrukturës tregtare. Raste të tilla janë raportuar në Suedi, Belgjikë, Luksemburg dhe Irlandë, ndërsa disa kompani kanë konfirmuar ndërhyrje në sistemet e tyre teknologjike.
Në Suedi, zinxhirët e supermarketeve ICA dhe Coop raportuan të hënën probleme me frigoriferët dhe ngrirësit në disa prej dyqaneve të tyre. Sipas njoftimeve, në disa raste temperatura është vendosur në 50 gradë Celsius. ICA bëri të ditur se një numër i kufizuar dyqanesh u prekën nga incidenti, ndërsa Coop konfirmoi se probleme të ngjashme u regjistruan në gjashtë pika shitjeje.
Situata është raportuar edhe në Belgjikë, ku zinxhiri Delhaize regjistroi probleme në sistemet e ftohjes në më shumë se 40 dyqane gjatë natës mes 1 dhe 2 nëntorit. Temperaturat në dhomat frigoriferike arritën deri në 15 gradë Celsius, duke detyruar disa dyqane të hiqnin produktet e prekura dhe të mbyllnin përkohësisht korridoret frigoriferike.
Ndërkohë, të paktën 15 dyqane të Carrefour në Belgjikë raportuan gjithashtu probleme me sistemet e ftohjes gjatë së njëjtës natë. Megjithatë, deri më tani nuk është dokumentuar ndonjë lidhje teknike mes dy incidenteve dhe as nuk ka prova se bëhet fjalë për një sulm të koordinuar.
Në Irlandë, kompania Musgrave, pronare e rrjetit SuperValu, konfirmoi një incident të sigurisë kibernetike që preku një model të caktuar frigoriferi. Si masë parandaluese, kompania hoqi të gjitha produktet e freskëta dhe të ngrira nga raftet e 13 dyqaneve, përfshirë ato në Lucan, Blanchardstown, Waterford dhe Bray. Kompania bëri të ditur se sistemet e monitorimit identifikuan problemin dhe se u morën masa të menjëhershme për mbrojtjen e konsumatorëve.
Nga ana tjetër, në Belgjikë, drejtuesit e Delhaize kanë konfirmuar një incident IT që preku sistemet e ftohjes, por nuk kanë vërtetuar zyrtarisht se bëhet fjalë për një sulm kibernetik. Kompania ka mohuar gjithashtu se janë konfirmuar raportimet për temperatura deri në 70 gradë Celsius.
Incidentet e fundit rikthejnë vëmendjen te sulmi i raportuar më parë në Francë, ku, sipas policisë franceze, hakerat morën kontrollin e njësive të ftohjes në qindra supermarkete. Ndërhyrja shkaktoi shkatërrimin e produkteve ushqimore, ndërsa në disa raste u raportuan edhe zjarre.
Top Channel