“Mjaft me përgatitjen e luftërave të tjera”, Papa Leone XIV: Vetëm paqja është e shenjtë

27/10/2026 17:31

Papa Leone XIV bën thirrje për paqe, dialog dhe refuzimin e çdo justifikimi fetar për luftën. Në një videomesazh drejtuar pjesëmarrësve të takimit ndërkombëtar “Paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse”, të mbajtur në Asizi të Italisë, Ati i Shenjtë theksoi se bota ka nevojë të rindërtojë paqen dhe jo të përgatitet për konflikte të reja.

“Duhet ta rindërtojmë paqen kudo, jo të përgatitim luftëra të tjera! Lufta nuk mund të bëhet kurrë në emër të Zotit! Për ne besimtarët, të luftosh në emër të fesë do të thotë, në të vërtetë, të godasësh vetë fenë. Nuk ka luftë të shenjtë: vetëm paqja është e shenjtë!”, deklaroi Papa.

Ai nënvizoi se, veçanërisht në kohën e sotme, kur mbizotëron kultura e forcës dhe e pushtetit, është e nevojshme të forcohet “shpirti i Asizit”, i cili mbështetet në refuzimin e legjitimimit fetar të luftës, ndërmjetësimin dhe dialogun.

Sipas Papës Leone XIV, shpirti i Asizit përfaqëson një përvojë soditjeje dhe një angazhim krijues për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore.

“Paqja duhet të bëhet sërish ideali i përbashkët i popujve, ylli që udhëheq çdo zgjedhje tonën, kriteri që demaskon padrejtësinë dhe horizonti i përbashkët i të gjitha kombeve”, theksoi ai.

Duke kujtuar 40-vjetorin e takimit historik të vitit 1986, të organizuar në Asizi nga Papa Gjon Pali II, Ati i Shenjtë riktheu vëmendjen te rëndësia e lutjes si rruga e parë drejt paqes.

Papa Leone XIV pranoi se lutja mund të duket e dobët përballë fuqive të botës, por, sipas tij, ajo mbetet forca e përulur e besimtarëve.

“Ne i drejtohemi Zotit që dhuron paqen: le të prekë zemrat e atyre që duan luftën dhe terrorizmin. Dhe të mos e harrojmë: nuk lutemi kurrë më kot!”, përfundoi Papa.

Mesazhi i tij përcjell një thirrje për përgjegjësi të përbashkët, dialog ndërmjet popujve dhe besimeve fetare, si dhe për angazhim të vazhdueshëm në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

Top Channel